“Drejtësia nën presionin politik”, Fevziu: SPAK po punon për hetimin e inceneratorëve



Gazetari Blendi Fevziu thotë se drejtësia ka qenë gjithmonë nën presionin politik. Fevziu tregon se SPAK po punon për çështjen e inceneratorëve dhe hetimi po ecën.

Sa i përket arrestimeve nga SPAK të të ashtuquajturve “peshqit e vegjël”, Blendi Fevziu shprehet se këta të fundit kanë firmosur nëpër dokumente dhe duhet të bashkëpunojnë me autoritetet për të treguar “peshqit e mëdhenj”.

“Politika do në të gjitha rastet të shkatërrojë çdo lloj hetimi, çdo lloj rasti ku mund të ndëshkohen njerëzit përgjegjës, për ta përdorur politikisht. Unë mendoj që te fajtorët shkohet shkallë pas shkalle. Në qoftë se ju keni qenë përgjegjës për një çështje dhe unë ju kam thënë firmose këtë gjë se duhet ta firmosësh, dhe ju si person e keni firmosur me konshiencën që kjo gjë nuk është e drejtë por ka thënë shefi, dhe nesër kur SPAK vjen të arreston, ti i qëndron firmës tënde, atëherë ti ke të drejtën tënde ta shtysh jetën në burg dhe bravo të qoftë. Në qoftë se këta persona do jenë kaq të ndërgjegjshëm sa të tregojnë se këta kanë qenë viktima të një presioni, pra të bashkëpunohet me drejtësinë, atëherë do shkohet shkallë-shkallë më lart. Kjo i mëson punonjësit të mos firmosin me porosi të shefit në shkelje të ligjit. Të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin.

Ky është problemi i vazhdueshëm i drejtësisë shqiptare që ka qenë gjithmonë nën presionin politik, ose për ta frenuar një hetim ose për ta çuar në atë drejtim që politika do. Ndërkohë që politika dhe drejtësia janë dy gjëra të ndryshme. Politika le të vazhdojë akuzat e saj politike, por hetimi nuk mund të jetë nën direktivat e politikanëve se është skandal.

Unë mendoj që deri tani ka operuar mirë, unë nuk jam nga ata që thonë që SPAK nuk po shkon atje ku duhet. Që të shkosh atje ku duhet të kesh prova. SPAK po godet shkallë pas shkalle. Njerëzit thonë po kap “peshqit e vegjël”. “Peshqit e vegjël” i kanë vënë firmat, “peshqit e vegjël” do përfundojnë në burg gjithë jetën në qoftë se nuk do tregojnë presionin që kanë pasur nga “peshqit e mëdhenj”. Dhe kjo është në gjithë botën. Në qoftë se ti shkon të mbrosh shefin dhe përfundon në burg, atëherë të qoftë burgu i lehtë. Duhet të shkojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë dhe të marri zgjidhje”, tha Fevziu në “Milori Live” në Klan.

Sipas gazetarit, kryeministrit të vendit, Edi Ramës i intereson situata aktuale në Partinë Demokratike, duke theksuar se aktualisht kreu i qeverisë ka aleat dhe armik vetëm veten e tij.

“Ramës i intereson që brenda PD-së të ketë një betejë që të vazhdojë. Ramës i intereson që PD të jetë një parti ku të mos marrë vesh i pari dhe i dytë. Rama po lëviz për llogarinë e tij, një PD e përçarë është një PD që nuk është një formacion konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, do të mundohet t’i japë një goditje në zgjedhjet lokale. Rama po projekton mandatin e katërt. Problemi i Ramës është vetë Rama, nuk është opozita. Në këto, rrethana kur opozita e ka të vështirë të kryejë rolin e saj, qetësia e Ramën mund t’i prishet nga vetë Rama. Nëse këto arrestime vijojnë, mbajtja e pushtetit nuk do jetë e thjeshtë. Rama tani ka armikun dhe aleatin e tij vetë Ramën”, tha Fevziu.