Idrizi i përgjigjet ashpër ministrit të Jashtëm grek: Gjuhë arrogante që duhet të na shqetësojë! Babai i Mitsotakis pranoi çështjen Çame

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias për çështjen çame, i cili ka thënë se nëse përmendni Çamërinë s’ka integrim në BE.  Idrizi e cilësoi gjuhë arrogante që duhet të na shqetësojë.

Ai tha se Dendias dhe Kyriakos Mitsotakis duhet të mos harrojnë deklaratën e babait të kryeministrit aktual Mitsotakis, i cili e ka pranuar çështjen çame në një takim me ish-kryeministrin Aleksandër Meksi.

“Në qoftë se ka dikë që nuk e befason kjo gjë, jemi pikërisht ne. Sigurisht më bën përshtypje ky deklarim. I shkon një ministri të jashtëm të një vendi që ka një ligj lufte me Shqipërinë, por jo një ministri të jashtëm të një vendi që kërkon marrëdhënie të mira fqinjësie. Një gjuhë arrogante, duhet të na shqetësojë. Në qoftë se kjo çështjes nuk ka vazhdimësi ,në kërkimi ne drejtësisë për shqiptarët e Çamërisë… Më duhet t’i kujtoj ministrit të Jashtëm të Greqisë së sotme dhe kryeministrit, babain e kryeministrit të sotëm Mitsotakis  që e ka pranuar çështjen çame në takim me ish-kryeministrin Meksi.

Kush pjesë e çështjes çame nuk ekziston, nuk ekziston komuniteti çam, nuk ekziston e drejta e të njeriut? Të gjitha këto pjesë që përbëjnë çështjen çame janë aty, madje dhe ngritjen e varrezave për partizanët çamë në Greqi.

Nuk heshtim dot për familjarët tanë, bëjnë mirë të mos heshtin ata”, tha Idrizi për News24.