Maxhoranca qeverisëse kërkon konsensusin e opozitës përmes Reformës së re Territoriale që të zvogëlojnë numrin e 61 bashkive në vend.
Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, ripërsëriti edhe dje mendimin e tij personal se duhet një reduktim i 61 bashkive. Ai ka bindjen se sa më pak të jetë numri i tyre, aq më shumë do të fuqizoheshin bashkitë. Por, sipas tij, thelbi i çdo reforme duhet të jenë shërbimet më të mira për qytetarët.
I pyetur mbi reformën territoriale, Balla deklaroi dje nga Fieri se “ajo është bërë në vitin 2014 dhe kemi bërë një ndryshim thelbësor me reduktimin në 61 bashki”.
“Në çdo vend, këto lloj ndryshimesh duhet të kalojnë më shumë kohë për t’u riparë. Mendimi im personal është që ndoshta më pak bashki do të ishte më mirë për të fuqizuar, por thelbi i çdo reforme duhet të jenë shërbimet më të mira për qytetarët. Komisioni i posaçëm i reformës pikësynim ka përmirësimin e shërbimeve në çdo cep të territorit. Objektivi ynë për reformën territoriale është përmirësimi i shërbimeve të qytetarëve”, u shpreh Taulant Balla.
Ky qëndrim i tij, paçka se personal, çon një sinjal të qartë tek opozita, e cila synon përmes kësaj reforme të riformatojë hartën aktuale të bashkive në vend. Maxhoranca socialiste fton opozitën për ndarjen e re territoriale, ndërkohë që 8 vite më parë bëri ndarjen e vendit në 4 rajone.
Bëhet fjalë për të njëjtën hartë territoriale, e cila nuk gjeti miratim në atë kohë. PS kërkon që puna të nisë me reformën në nivel rajonal, ndërkohë që në bazë të ndarjeve të rajoneve janë krijuar drejtoritë e bujqësisë, drejtoritë e arsimit, të shëndetësisë, drejtoritë e kujdesit social dhe ato të thesarit në të 4 rajonet e vendit. Tetë vite më parë kur u miratua reforma territoriale, diskutimet u bojkotuan nga Lulzim Basha, duke i lënë fushë të hapur vendimmarrje PS-së bashkë me votat e PDIU-së.