Debat i fortë në emisionin “Open” në News24 teksa në fokus është situata ekonomike dhe rritja e çmimeve si dhe reagimi qytetar. Teksa përfaqësuesit e qeverisë, ish-deputeti i PS Ervin Bushati dhe zv.ministri Besart Kadia e vënë theksin te lufta dhe situata botërore për ndikimin në ekonominë tonë, Lubonja tha se kemi një trup të sëmurë prej kohësh.
Lubonja: Këtu problemi është shumë më i thellë, kemi një trup të sëmurë prej kohësh që tani që ka rënë kjo pandemia rrezikon të vdesë më kollaj se gjithë të tjerët, nuk vdes thjesht nga pandemia, nga virusi, por nga trupi që është i sëmurë prej kohësh, ka 100 sëmundje.
Lexova pra krizës, shifra se sa mesatarisht përqind të të ardhurave ditore shpenzonte një shqiptar në krahasim dhe me gjithë vendet e botës për karburantin që përdorte…
Ervin Bushati: Për makinë? Një njeri që ka makinë nuk është i varfër. Po në Shqipëri është e shtrenjtë nafta, është vendimmarrje politike e qeverisë, e ka vënë që në fillim, e pranojmë ne këtë.
Lubonja: Ajo që më rezultonte nga tabela që pashë, ishte nga vendet me tarifat më të larta Shqipëria, 20% të të ardhurave ditore për të blerë 1 litër. Ndërkohë që më i ulëti ishte Irani sepse e prodhon në vend. I krahasova shtetet, merrini shikojini. Ishte nga vendet ‘kampion’ Shqipëria dhe nuk kishte ardhur kjo situatë, ishte më herët. Kjo nuk lidhet me luftën, lidhet me politikat e qeverisë, me gjithçka ndodh në Shqipëri. Është një sinjal i vetëm i shumë gjërave, siç është ai për rrogat më të ulëta.
Para ca kohësh lexova një letër që i kishte shkruar kryeministrit, ministres së shëndetësisë, disa institucioneve, një danezi i cili ishte rrëzuar në rrugë, kishte thyer hundën dhe kishte shkuar në Spitalin e Traumës dhe kishte bërë nja 20 vërejtje. Ajo që të bënte më shumë përshtypje se nuk kishte as letër higjienike, as ujë në banjë për t’u larë. Kjo nuk ka lidhje me luftën, kjo ka lidhje me disa standarde që duhet të ishin krijuar, me disa shtresa dhjami që duhet t’i kishte vënë kjo shoqëri, që në këtë situatë të tillë t’i shpenzonte. Kjo s’ka ndodhur, aq më tepër këto që thashë unë kanë të bëjnë me një parti të majtë dhe ju vini gjasme nga një parti e majtë që duhet t’i kishte shumë problem spitalet publike. Çfarë politikash janë bërë këtu.
Kadia: Po jo pra se s’do e bëjmë se çfarë mendojmë për gjithë shoqërinë shqiptare në çdo lloj fushe. Jemi çmimet dhe protesta. The Iranin që e ka çmimin më të ulët. Ta mbarojmë debatin të plotë.
Lubonja: Të mbaroj unë njëherë.
Kadia: Irani ka çmimin e naftës më të ulët në botë…
Lubonja: Ta tha Arlind Qori. Të tha pse nuk e prodhon ti.
Kadia: Ta dëgjojë dhe Arlind Qori tani, ta bëjmë Shqipërinë si Irani. Sa e ka inflacionin sot Irani? 40%.
Lubonja: Keni ardhur këtu të bëni idiotin e dobishëm më fal për shprehjen.
Kadia: Pse me Iranin do merremi ne, e pe naftën në Iran sa është.
Vasili: Mos të bëjmë diversion tani se nuk tha njeri ta bëjmë Shqipërinë si Irani. Nuk tha Lubonja ta bëjmë si Irani.
Kadia: Unë them sa është inflacioni, tani thua pse me Iranin do merremi tani. O do e bëjmë diskutimin e plotë…E pe naftën në Iran sa është.
Lubonja: Zotëri a ka mundësi? Do flas unë, do mbaroj unë.
Kadia: Do ta bëjmë diskutimin e plotë.
Lubonja: Nuk e thashë Iranin për naftën, e thashë për politikat që janë bërë në Shqipëri, në të cilat politika burimet, njerëzore, materiale, natyrore etj, që ka vendi…
Kadia: Ka keqmenaxhime, ka shumë politika që duhen ndryshuar, por çfarë lidhje kanë këto me inflacionin?
Lubonja: Ka lidhje me krizën, me protestën.
Kadia: Çfarë proteste? Për çmimet apo për gjithçka?
Lubonja: Unë flas me njerëz që dëgjojnë.
Kadia: Unë po të dëgjoj, por nëse është për gjithçka çfarë ndodh në Shqipëri ta bëjmë me axhendë protestën. Kësaj radhe po protestojmë për keqqeverisjen dakord. Por nëse është për inflacionin, ta shpjegojmë çfarë është. Është fenomen ekonomik që s’ka dorë qeveria, as taksat.
Lubonja: Unë s’ta përmenda inflacionin, të përmenda krizën.
Kadia: Çfarë krize? S’ka krizë, përveçse çmimeve.
Lubonja: E ke krizën në temë more.
Kadia: Çmimet, çmimet, inflacion quhet. Quhet inflacion ekonomik, kemi rritje çmimesh.
Lubonja: E kupton ti që jam dhe unë që qenie njerëzore, nuk mund të tallesh kështu me publikun, pa mirë me mua, po tallesh.
Bushati: Shqipëria vjen pas një tërmeti shkatërrues, pastaj pandemia. Tani që flasim Banka Qendrore e Amerikës ka rritur normat e interesit, sepse është inflacioni shumë i lartë. Fenomeni i rritjes së çmimeve është problem global dhe ne e marrim nga jashtë. Duhet të dimë që nga viti 1990 ne nuk i kontrollojmë dot çmimet, sepse është kapitalizëm.
Qeveria e Shqipërisë mbledh më pak taksa nga të gjithë në rajon, pra lë më shumë para në duart e qytetarëve. Nëse vendet e rajonit e kanë 15%, 18%, ne e kemi zero. Në Shqipëri ndodh që inflacioni është sa gjysma e Maqedonisë së Veriut. Kjo, së pari, për energjinë elektrike, pasi jemi i vetmi vend që kemi 100% energji të rinovueshme. Nuk them që jemi mirë, por nuk jemi aq keq sa thuhet gjithmonë. Ka vende që janë më keq. Njerëzit bëjnë shumë mirë që protestojnë, ishin pak madje. Protestat nuk është se mund të zgjidhin e mbajnë çmimet e bursës, të tregut. Shqipëria nuk i kontrollon çmimet.