“Pilafi s’mban më ujë”! Mbi këtë slogan është thirrur nga shoqëria civile protesta për rritjen e çmimeve. Protesta e paralajmëruar në orën 18:00 ka nisur në sheshin “Skënderbej” e nga aty, qytetarë kanë marshuar për te Kryeministria.
Me pankarta në duar qytetarët janë mbledhur duke kërkuar masa nga qeveria.
“Ju jeni milionera me vila dhe makina, s’paguaj më për ju as unë dhe as familja”, kanë thirrur njëzëri protestuesit.
Qytetar 1: Duhet të ngrihet gjithë populli për ta hequr qafe këtë qeveri që na mori në qafë. Jam këtu për të protestuar për çmimin e karburantit, të ushqimeve dhe të tëra. Kam punuar në nëntokë, marr 180 mijë lekë. Po kërkojmë të drejtat tona. Popullin e morën në qafë.
Qytetar 2: Të ulet çmimi i karburantit se nuk po mundemi të shkojmë në punë. Jemi shumë më dobët se para 2 viteve. Kërkojmë të ulet çmimi i karburantit, të shkojmë në punë, të hamë bukë. Me çfarë do hamë, me këto çmime.
Qytetare 3: Ne po fillojmë të organizohemi sërish. Situata është e rënduar, ka rritje të çmimeve të shportës së ushqimeve, të ardhurat të njëjta.