Nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi ka folur në “Kjo Javë” në News24 dhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës Bajram Begaj. Boçi e cilësoi antikushtetues dhe tha se procesi brenda sallës ndoqi rrugën antiligjore, pasi deputetëve të opozitës nuk iu dha fjala as për procedurë. Ai shpjegoi dhe vendimin e deputetëve të PD për t’u larguar nga seanca.
“Pati një vendim për arsye se procesi i shtyrë me zor nga Rama në raundin e katërt ishte një proces antikushtetues, z. Begaj hyri në kandidim me kostumin e shefit të përgjithshëm të shtabit. Duke qenë se procesi ishte i tillë me negociata false, me opozitë të krijuar nga Rama false, ne kishim vendosur të votonim në grup kundër, varësisht nga procesi në sallë. Procesi brenda sallës ndoqi rrugën antiligjore. Kur deputeti i kërkohet fjala për procedurë atij i jepet. Ishte vendosur që të kërkonim 3-4 deputetë për procedurë dhe më pas të votonim me karton të kuq në mënyrë demonstrative para nisjes së votimit.
Largimi ishte një votim kundër. Nuk ishte bojkot, ne shkuam në seancë. Kundërshtinë tonë e shprehëm në këtë mënyrë. Kërkuam fjalën jo për debat, por për procedurë”, tha Boçi.
Sa i përket figurës së Begajt, ai tha se nuk ka njohje bazike, por përmendi gjuhën e trupit. Boçi deklaroi se i duket i trysnyeshëm.
“Nuk kam njohje bazike, përveç CV-së të paraqitur nga z. Begaj dhe do thosha përderisa unë nuk kam njohje publike, apo personale, do të thotë që ai ka mbajtur një profil të ulët, jo detyrën sepse detyrën e kishte të lartë. Pretendoja që një figurë e tillë të ishte shumë e njohur dhe në publik, e promovuar. Presidenti duhet të jetë një figurë e fortë, një njeri i zoti sepse politika tek ne është shumë agresive dhe përplasëse. Një person që do të vendosë paqe mes dy palëve duhet të jetë një njohës shumë i mirë. Më duket shumë i trysnyeshëm, shumë i devijueshëm. Në humorin tim, ushtarakët janë burra shumë të mirë dhe hyjnë në atë kategori njerëzish që e duan atdheun, por kanë problem me urdhrin, e marrin urdhrin nga eprori dhe e zbatojnë, më pas e shohin. Bindja për të zbatuar urdhrin, gjestet, përkulja e trupit, gjuha e trupit, dëshmonin një përulje të z. Begaj ndaj Ramës. Rama u nxitua për ta zgjedhur në raundin e katërt, dmth unë po shkel kushtetutën për të zgjedhur ty, po të bëj një favor”, tha Boçi.
Sa i përket vendimit të Metës, ai tha se ishte një lloj presioni ndaj tij nga Rama.
“Nuk dënoj procedurën e z. Meta, vënien në pozitë të z. Meta. Nga ai që e emëroi z. Begaj si President, nga maxhoranca.
Këto lloj formash presioni ndaj z. Meta kanë ekzistuar. Z. Meta nuk mund të bënte një akt që në raundin e pestë do bënte të njëjtën gjë dhe do kishte të njëjtin përfundim.
Të dyja i shoh si qëndrime që godasin z. Rama. Dhe rastin kur z. Berisha bëri deklaratën ndaj Metës dhe kur Meta tha se nuk doja të digjja raundin e katërt”, deklaroi deputeti i PD.
I pyetur nëse sheh një dyshe të fortë Berisha-Meta në opozitë, Boçi tha se sheh një front shumë të fortë opozitar bashkë me qytetarët.
“Shoh një front opozitar shumë të fortë dhe fronti përfshin këto dy emra që kanë fuqinë, peshën e tyre sikurse ky front përfshin atë që ka peshën më të madhe specifike, qytetarin”, tha ai.
Sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve të PD në PPE, ai tha se kjo do të thotë se PD është pjesë e PPE.
“Përderisa votuan të tre përfaqësuesit, do të thotë që PD është pjesë e PPE”, deklaroi Boçi.