“Merreni seriozisht”, Rama porosi kandidatëve për degët e PS-së: Është një garë e hapur, përgatitni prezantimet e platformave

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në takimin për përzgjedhjen e drejtuesit të ri vendor të Partisë Socialiste në Elbasan, ku deklaroi se procesi i ripërtëritjes së Partisë Socialiste është tepër i rëndësishëm dhe ftoi të gjithë kandidatët ta marrin seriozisht dhe të paraqesin platformat e tyre.

“Kjo është dita e tre kandidatëve këtu për t’u ballafaquar me ju dhe me komisionin e zgjedhjeve.

Dua të shfrytëzoj këtë rast që t’i themi të gjithë atyre që presin që të kenë prezantimet dhe ballafaqimet e tyre të përgatiten seriozisht pasi kjo është një garë e hapur.

Nga ana tjetër të gjithë bashkësitë socialiste nëpër qarqe të bëjnë sa më shumë propozime që dhe zgjedhja të jetë shumë e gjerë. Kam ngelur shumë i inkurajuar nga ajo që kam parë në distancë dhe sot jam këtu së bashku me deputetët e Elbasanit. Na vjen mirë që na jepet mundësia që të marrim pjesë në një proces si ky.
Një proces që synon të ripërtërijë me një mekanizëm të ri strukturën e Partisë Socialiste”, tha Rama.

Tre kandidatët e përzgjedhur për fazën finale për të marrë drejtimin e PS në Elbasan, janë Ardit Demiri, Ermira Urupi, Agron Lulaj të cilët prezantojnë sot platformat e tyre para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Elbasan.