Ndodh për herë të parë në Shqipëri, një peticion kundër ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim

Për herë të parë në Shqipëri, është shpallur një peticion online kundër ambasadores së Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim. 
Peticioni është krijuar në faqen e njohur change.org dhe titullohet “Enough is enough”, në shqip “Mjaft është mjaft!”. 
Në peticion thuhet se; “Qëndrimet e Znj. Yuri Kim bien ndesh jo vetëm me statusin e saj diplomatik dhe nenin 41 të Konventës së Vjenës, por kanë cënuar fort aftësinë e vendit për të pasur një opozitë serioze ndaj një qeverie që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportet e veta, e klasifikon thellësisht të korruptuar. Intimidimi i vazhdueshëm ndaj forcave opozitare, ndërhyrja në procesin e tyre te votimeve te brendshme apo trysnia që i bëhet drejtësisë nga Znj. Kim janë shumë shqetësuese pasi minojnë demokracinë dhe rrezikojnë stabilitetin e vendit.”. 
Në peticion ka edhe një kërkesë për DASH.
“Si qytetarë shqiptarë dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkojmë Departamentit Amerikan te Shtetit që përfaqësuesja e SHBA në Shqiperi, Znj. Yuri Kim ti përmbahet statusit diplomatik dhe të ndalojë menjëherë ndërhyrjet brutale në politikën e brendshme dhe institucionet shqiptare!”
Kjo është një ngjarje e paprecedent në Shqipëri dhe asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që ndaj një ambasadori të SHBA-ve, të shpallet një nismë e tillë. Deri tani peticioni ka arritur mbi 2500 firma.