Erion Braçe kritika qeverisë: Kushtëzo importuesit, të blejnë produktin vendas!

KELMENT BAÇI/ Deputeti i PS, Erion Braçe, ka kritikuar qeverinë për mungesën e përfshirjes në garancinë sovrane ndaj bankave për importuesit e produkteve bazë, të kushtit që ata fillimisht duhet të blejnë prodhimet vendase veçanërisht ato bujqësore.

Nga foltorja e Kuvendit, Braçe kërkoi që qeveria ta kushtëzoi dhënien e garancisë për importuesit, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë fermerëve vendas, të cilët sipas tij kanë pasur kosto të madhe pune duke rrezikuar mbjelljen në vitin e ardhshëm.

“Bordi, ky që po diskutojmë sot me akt normative por edhe bordi tjetër që merret me çmimin e karburanteve janë instrumente të mbështetura në ligj. As fashiste dhe as komuniste. Bordi nuk rrit dhe ul çmimet, ato i rrit dhe i ul kërkësë-oferta, ka vetëm një qëllim të mbrojë qytetarin nga abuzimet në treg. I kërkoj qeverisë të kushtëzojë aprovimin e garancisë sovrane për importuesit, për të grumbulluar prodhimin vendas të drithërave duke nisur nga gruri, misri, elbi e çdo gjë tjetër.

Është nevojë jetike tani për shkak të përdorimit të drithit si armë atje në fushë të betejës. 30 lekë ka bërë një kilogram grurë vjet te bujqit. Me çmimin e vjetshëm i jep vetëm 15 mijë lekë të ardhura bujqve për dynym është me humbje. Unë i kërkoj qeverisë që të merret me rregullimin e këtij çmimi, analizimin e kostove.

Të rregullojë çmimin për secilin grumbullues. Nëse nuk do ta bëjë këtë se kjo quhet komuniste, të bëjë një gjë tjetër, të blejë të gjithë grurin e fermerëve të prodhuar në harkun e këtij viti, për të mbuluar kostot, mbushur depot, garantuar qytetarët dhe mbjelljen e sezonit të ri”, tha Braçe.

Deputeti socialist hodhi akuza të forta se në Shqipëri paratë e krimit dhe korrupsionit po pastrohen përmes kriptomonedhave.

“Kriptomonedhat dhe tregtia e tyre e palicencuar në Shqipëri është aktivitet kriminal. Është turp që nga salla e Kuvendit të Shqipërisë kjo të quhet risi. Risi është teknologjia, krimi është krim. Kemi miratuar bazën ligjore, por nuk ka asnjë qoftë monedhë qoftë sipërmarrje të licencuar në këtë fushë. Ndërkohë, na dëshmohet në media se aktiviteti ishte i hapur publik në mes të Tiranës i lidhur me veprimtari të tjera kriminale. Kur kërcënohet stabiliteti financiar i vendit mendoj që institucionet duhen bërë një të bashkëpunojnë e godasin veprimtarinë kriminale.

Po ju them që paratë e krimit të organizuar në këtë vend dhe paratë e korrupsionit më pas, po pastrohen përmes kriptomonedhave. Arritjet unë i duartrokas ama ka probleme që i sjell koha, i kemi përballë e me të cilat duhet të përballemi jo duke ndryshuar rregulloret, por si e parashikon ligji. Bashkëpunoni dhe goditeni këtë krim”, sqaroi Braçe.

MINISTRJA

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, gjatë këtij viti është rritur mbështetja e qeverisë për fermerët.

“Në vitin 2022, kemi vënë në dispozicion 4 herë më shumë mbështetje ndaj fermerëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai zhvillim bujqësor që ju shikoni sot, me infrastrukturë dhe kapacitete të ngritura që ndihmojnë eksportin bujqësor. Shqipëria prodhon në vend gjysmën e nevojave të saj për furnizim me grurë, që presim të jetë i mbarë edhe këtë vit. Një pjesë e garancisë financiare do të shkojë për blerjen e grurit.

Ministra e Bujqësisë është e angazhuar në lidhjen e këtyre hallkave që prodhimi shqiptar të hyjë më shpejt në depo apo magazina dhe fermerët të përfitojnë çmime të favorshme të kësaj periudhe. Mbjelljet e pranverës kanë qenë një tregues se si po reziston sektori i bujqësisë ndaj vështirësive, falë mbështetjes së qeverisë dhe fondeve. Sot, mbi 18 mijë fermerë kanë përfituar naftën falas dhe e kanë vënë në punë për të prodhuar. Kemi shkuar në 49 mijë fermerë që kanë kërkuar mbështetje këtë vit. Nga viti 2017, numri i pikave të grumbullimit është dyfishuar ku 178 prej tyre janë realizuar nga mbështetja e qeverisë”.