Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, deklaroi se në 3 vitet e fundit në Francë janë mbyllur 43 xhami.
Në një deklaratë në parlamentin kombëtar, Darmanin bëri të ditur se kanë nevojë për një ligj për të luftuar me “islamizmin” jo me terrorizmin.
Që nga ardhja në detyrë e presidentit francez, Emmanuel Macron, e deri tani në 3 vitet e fundit në vend janë mbyllur 43 xhami, njoftoi Darmanin, i cili tha se Macron ka mbyllur më shumë xhami se sa presidentët e mëparshëm.
Darmanin, tha ndër të tjera që mund të mbyllen për 6 muaj xhamitë të cilat “vendosin në rrezik rendin publik”.
Në anën tjetër, në një deklaratë nga Ministria e Brendshme u njoftua për formimin e një linje denoncimi nën emërtimin “luftimi me radikalizmin dhe islamizmin”.
Sipas kësaj, nga njerëzit kërkohet që të telefonojnë numrat e caktuar të telefonit në rast se përcaktojnë ndonjë person ose persona përreth tyre “për veprime të dyshuara”.
Teksa qëndrimi anti-islam i Macron kohët e fundit dhe deklaratat e politikanëve me objektiv muslimanët kanë shkaktuar reagime në shumë vende të botës, presionet dhe bastisjet kundrejt shoqatave muslimane dhe organizatave të shoqërisë civile në vend janë rritur gjithashtu.
Në një deklaratë të bërë dje, Gerald Darmanin, u shpreh se “Çdokush mund të jetë mbikëqyrës i shoqërisë. Këmbëngul që i gjithë populli francez të jetë vigjilent kur dëgjon një fjalim ose sheh në rrjetet sociale një postim që mbron terrorizmin”./AA