Joe Biden mban fjalimin e fitores: Eshtë koha për të shëruar Amerikën! Vendi ynë, shpresë për mbarë globin!

Joe Biden do të jetë presidenti i 46 i SHBA-ve, pasi fitoi zgjedhjet ndaj rivalit të tij republikan, Donald Trump.

Biden ka mbajtur fjalimin e fitores, ku e vendosi theksin tek nevoja për të bashkuar amerikanët dhe për të ndalur përçarjen mes tyre. Ai tha se demokratët kanë arritur një fitore historike dhe se do të punojë për të fituar besimin e të gjithë qytetarëve.

Njerëzit e këtij vendi kanë folur, na kanë dhënë një fitore të qartë, të bindshme, një fitore për ne, popullin. Kemi fituar me më shumë vota në historinë e këtij kombi, 74 milionë! Jam i prekur nga besimi që ju më keni dhënë. 
Unë premtoj se do të jem një president që nuk kërkon të përçajë por të bashkojë, i cili nuk sheh shtete blu dhe shtete të kuqe, por sheh Shtetet e Bashkuara. Do të punoj me gjithë zemër për të fituar besimin e të gjithëve ju”, deklaroi presidenti i zgjedhur.

Biden bëri thirrje për të lënë pas retorikën e ashpër dhe për të mos i parë kundërshtarët si armiq.

Unë kërkova këtë detyrë për të kthyer shpirtin e Amerikës, për të rindërtuar shtyllën e këtij kombi, shtresën e mesme dhe për ta bërë Amerikën të respektuar në botë sërish, për t’u bashkuar këtu në shtëpinë tonë. 
Le t’i japim një shans njëri tjetrit. Është koha për ta lënë pas retorikën e ashpër, për të ulur temperaturën, për të parë njëri tjetrin sërish, për të dëgjuar njëri tjetrin… të mos i trajtojmë kundërshtarët tanë si armiq. Kjo është koha për ta shëruar Amerikën! Unë do të punoj fort për ata që nuk më votuan, njëlloj si për ata që më votuan“, tha ndër të tjera Biden,

Presidenti tha se “sonte e gjithë bota po sheh Amerikën” dhe “se Amerika është një shpresë për mbarë globin“,

Retorika e Biden, është shumë e ndryshme nga ajo e Trump gjatë katër viteve të mandatit të tij. Në vend të theksoj ndasitë që ekzistojnë në shoqërinë amerikane, ai ka folur në mënyrë konstante për nevojën që “kombi të bashkohet“.

Le të jemi vendi që dimë të jemi. Një komb i bashkuar, një komb i fuqizuar, një komb i shëruar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zonja dhe zotërinj, nuk ka asgjë që ne kemi tentuar të bëjmë dhe nuk e kemi arritur“.

Zëvendëspresidentja e ardhshme, Kamala Harris, e cila bëri histori si gruaja e parë që do të mbajë këtë post, mbajti gjithashtu fjalimin e saj të fitores.

Ju zgjodhët shpresën, bashkimin, mirësjelljen, shkencën dhe të vërtetën. Ju zgjodhët Joe Biden si presidentin e ardhshëm të SHBA-ve! Joe është një shërues, një person të cilin eksperienca personale e dhimbjes, i ka dhënë një ndjenjë qëllimi, që do ta ndihmojë kombin tonë të rikthejë qëllimin“, u shpreh ajo.

Harris pranoi se rruga përpara është e vështirë, por tha se se Amerika ka zgjedhur “presidentin që përfaqëson më të mirën e të gjithëve ne“.

Rruga përpara nuk do të jetë e lehtë, por Amerika është gati dhe kështu jemi edhe unë me Joe! Ne kemi zgjedhur një president që përfaqëson më të mirën e të gjithëve ne“, tha ajo.

/TPZ