Tedi Cara ishte i jashtëzakonshëm dje ndaj Dinamos dhe me dopietën e tij, që është e para për këtë sezon, dha kontribut të madh në fitoren e “demave” përballë Dinamos.
Me rrjetat e djeshme, kavajasi arrin Zhuniorin me 9 gola në garën për shënuesin me të mirë të ekipit. Pas ndeshjes ai foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku tregoi për ndeshjen e djeshme, por edhe periudhën e vështirë që po kalonte.
Sipas sulmuesit të të kuqve, Partizani e vendos fatin e tij për Europën në dy ndeshjet e radhës ndaj Tiranës dhe Kukësit.
Shënuat dy gola në një fitore shumë të rëndësishme për objektivat e skuadrës. Cila është ndjesia pas gjithë kësaj?
Jam shumë i lumtur që e ndihmova sot ekipin, sepse duhej kjo fitore ndaj Dinamos. Ishte kundërshtar delikat, sepse hynte pa objektiva dhe nuk kishte çfarë të humbiste. Na u desh të bënim maksimumin për të marrë fitoren.
Goli i dytë juaji duket i lehtë në pamje të parë, por kërkon shumë qetësi. Çfarë menduat në atë moment?
Në atë moment ndieja mjaft lodhje, por mora energji të reja kur u ndodha në atë pozicion të favorshëm. Pashë daljen e Simonit dhe u mundova ta godisja topin mbi të për ta dërguar në rrjetë dhe e realizova siç duhet. Kur erdhi topi, mendova se e kapi Lilaj dhe mendoja të kthehesha në mbrojtje, por doli huq e vrapova me sa mundesha.
Nën drejtimin e Dajës ishit titullar e më pas me nisjen e vitit të ri patët një lloj pauze dhe nuk jeni titullar fiks. Çfarë ju frenoi?
Me profesor Dajën isha titullar fiks, kisha më shumë iniciativë dhe isha më produktiv për ekipin. Isha më mirë në pjesën e parë të sezonit. Në këtë vit kisha rreth 10 ndeshje që nuk kam qenë aty ku duhet. Nuk kam pasur minutat e duhura. Shyqyr Zotit, me këta dy gola u riktheva sërish. Shpresoj atë që kam bërë në fazën e parë, ta bëj në ndeshjet e mbetura. Pastaj, zgjedhjet e trajnerit i respektoj dhe sa herë të aktivizohem, do të jap maksimumin.
Me këtë fitore kapët vendin e tretë. E ndien Partizani veten akoma më pranë Europës pas këtij triumfi?
Shanset rriten, por unë mendoj se Europa do të varet nga dy ndeshjet e radhës. Sidomos ndeshja direkte me Kukësin dhe më pas derbi me Tiranën. Nëse dalim me rezultat pozitiv në këto dy sfida, jemi shumë pranë Europës.
PANORAMASPORT.AL