Ambasadori Walker: UÇK është siç e thotë emri i saj, Kosova dhe Serbia nuk po trajtohen njësoj

Ish-kreu i misionit verifikues të OSBE në Kosovë, ambasadori William Walker deklaroi sot se ish-drejtuesit e UÇK po hetohen padrejtësisht në Hagë, pasi qëllimi i luftës se tyre ishte çlirimi i vendit.

Në një intervistë për Euronews, diplomati amerikan, Walker deklaron se Kosova dhe Serbia nuk po trajtohen njësoj pasi palës humbëse, Serbisë, nuk po i kërkohet përgjegjësi për mizoritë që ka kryer në Kosovë.

“Nuk shoh ndonjë lidhje me atë që ndodhi në Reçak që ishte një masakër që u shkaktua nga një ushtri që ishte shtetërore dhe nga forcat e sigurisë, një masakër brutale ku u ekzekutuan 45 burra të paarmatosur. Kjo është shumë ndryshe nga akuzat që janë sjellë në Hagë nga Prokuroria Speciale”, u shpreh ai.

I pyetur lidhur me akuzën ndaj UÇK-së e cila konsiderohet si ndërmarrje kriminale, ambasadori Walker thekson se “UÇK është siç e thotë emri i saj. UÇK ishte një grup të rinjsh kryesisht, të cilët nuk e duruan më shtypjen dhe krimet e luftës qe po kryheshin nga qeveria e Beogradit. Ata morën armët të mbronin veten e tyre, fshatrat dhe të mbronin familjet e tyre dhe rezultat i kësaj ishte lufta”.

Ai shprehet se “është një përdorim i çuditshëm i fjalës terrorist për të përshkruar UÇK-në. Fjalën terrorist do ta përdorja për ushtrinë serbe, policinë, paramilitaret, tipat si Arkani dhe grupet e tij të milicive që kryen akte vërtetë të tmerrshme në Kosovë”.

Walker shprehet më tej se “Zyrat e Prokurorisë Speciale pretendojnë se krimet e luftës, mizoritë u kryen nga UÇK-ja dhe tani ata po përpiqen të hetojnë disa njerëz të cilët i kanë identifikuar si fajtorë. Po flasim për 5 luftëtarë që kanë shkuar në Hagë, përfshirë presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e parlamentit, Kadri Veseli. Një prej tyre ishte komandant në terren, Jakup Krasniqi, të cilin e njoh e kam takuar disa herë gjatë luftës. Ai nuk ka qenë luftëtar në gjykimin tim, ka qenë zëdhënës i UÇK dhe Thaçi nuk ishte një luftëtar, ishte një drejtues politik i organizatës. Dhe të dëgjosh se për 7 orë pati bastisje në shtëpitë e tyre, dhe më shumë në shtëpinë e Krasniqit, e shoh të gjithë procesin të çuditshëm”.

Ai shprehet më tej se “nuk ka patur përpjekje të ngjashme ndaj palës serbe. Së fundmi pati zgjedhje në Serbi dhe z. Vuçiç është akoma në pushtet. Por z. Vuçiç ishte propagandues, ishte ministër i informacionit të Millosheviçit, gjatë periudhës më të keqe të gjenocidit”.

“Nuk kam dëgjuar që askush ta akuzojë atë për asgjë, në asnjë lloj procesi ligjor dhe e shoh situatën shume asimetrike. Dy palët po trajtohen në mënyra të ndryshme. Ironia është se pala fituese po paguan çmimin dhe pala humbëse, Serbia, nuk po i kërkohet përgjegjësi për krimet e tmerrshme që ka kryer, për të cilat njerëzit e misionit tim ishin dëshmitarë”, tha ai./Bw