Portet antike si atraksione turistike/ 11 nëntor 2020


“Portet antike si atraksione turistike” është titulli i projektit APPRODI, në të cilin është përfshirë sipartner edhe Qendra Muzeore e Durrësit. Qytetet e Ortonës, Venecias, Dubrovnikut dhe Korfuzit janë partnerët e tjerë në këtë projekt të përbashkët.

Pas dy seancave  të para online, pritet të zhvillohen edhe katër seanca të tjera trajnimi në terren,  një nga të cilat në mjediset e Muzeut Arkeologjik Kombëtar në qytetin bregdetar.

Organizatorët shtuan se në këto takime do të ftohen edhe përfaqësues të Autoritetit Portual dhe të institucioneve të tjerë lokalë në Durrës.

Sfida e përbashkët territoriale, me të cilën përballet projekti, konsiston në potencialin e lartë, por pak të përdorur për rritje ekonomike të porteve antike, si destinacione ekoturizmi, veçanërisht jashtë sezonit veror.

Pesë site pilot do të vlerësohen si destinacione të reja të mundshme duke përdorur teknika inovative, të tilla si hetimet gjeo-arkeologjike (Ortona, Durrës, Dubrovnik), rezultatet e tëcilave do të paraqiten në ekspozitat e Muzeve.

Porti i Durrësit që prej disa vitesh është mikpritës i anijeve të mëdha turistike, me vizitorë të huaj. Gjatë vitit 2019 në portin më të madh të vendit u ankoruan 19 kroçera dhe veliera me 4,503 turistë, si dhe 430 jahte të madhësive të ndryshme.

Amfiteatri, termat antike, muret mesjetare, Forumi rrethor, si dhe Muzeu Arkeologjik më i madh ivendit janë monumentet më të vizituara të Durrësit.