Vuçiç kërcënoi me luftë, ministrja e Jashtme e Kosovës: Këlysh i Rusisë do të kapitullosh!

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ashpër kërcënimeve indirekte për luftë të Presidentit serb, duke e cilësuar Aleksandër Vuçiçin “këlyshin e Rusisë” që po tenton bashkë me Moskën që të minojnë stabilitetin në Ballkan.

“Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Aleksandar Vuçiç, ministri i Informacionit në kohën e Millosheviçit, tani po kërcënon të gjithë NATO-n, si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan.

Politika dhe qasja e “këlyshit Rusisë” është qartazi kundër vlerave të BE-së dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe, me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-n” tha ajo.

Por cfarë tha Vuçiç? “Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”, deklaroi Vuçiç duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan mund të rihapet nëse nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.