Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë mbrëmje në Fier. Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se një furgon ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal të mbushur me ujë.
Autoambulanca, zjarrfikësja dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Nga të dhënat e para, mësohet se në mjet udhëtonin një çift, të cilët fatmirësisht janë nxjerrë në kohë dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndonëse janë nisur drejt Spitalit të Fierit për të marrë mjekim.
Gazetari Kuçi raporton për “BalkanWeb” se shkak i aksidentit mendohet se është bërë lëvizja me shpejtësi në një aks pa ndriçim dhe kthesa e fortë.
Informacion paraprak
Sot, rreth orës 17:35, në fshatin Qarr, Levan, automjeti tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin B. Z., banues në Tiranë, ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë dëmtuar dy pasagjerë, shtetasi Xh. T. dhe L. Z., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal Fier.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të daljes së mjetit nga rruga.