Zetori përmbyset në ‘Urën e Xhehenemit’, shpëton mrekullisht drejtuesi i mjetit. Banorët: Çdo ditë na rrezikohet jeta


Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Dom në Njësinë Administrative Gurrë ne Bashkinë e Klosit, por fatmirësisht pa pasoja për jetën. Një zetor është përmbysur sipër urës tip pasarelë, ku kalojnë çdo ditë qindra banorë të fshatrave Dom e Zall-Rripë, ndërkohë që drejtuesi i mjetit ka shpëtuar për mrekulli, vetëm me disa lëndime të lehta.


Prej tre dekadash kjo urë është në këtë gjendje, ashtu siç shihet dhe në pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetari Enver Doçi. Në këtë urë kalojnë dhe furgonat që transportojnë nxënës shkollash.

Drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës e quajnë këtë urë ndryshe “ura e xhehenemit”, (Ura e Ferrit), ndërsa shprehen se çdo ditë jeta e tyre vihet në rrezik. Ndërkohë, këtë gjë e pohojnë dhe banorët e zonës, të cilëve iu duhet të kalojnë mbi këtë urë që mund të bjerë nga momenti në moment./Bw