Gazetari shqiptar nga Turqia: Në spitalet këtu janë shtruar rreth 50 shqiptarë të prekur me COVID! Qytetarët shumë strikt, të qortojnë nëse s’mban maskën

Gazetari shqiptar, Marjon Gorica nga Turqia, ku ndodhet pasi ka të shtruar babanë me COVID, ka bërë me dije se atje janë rreth 50 shqiptarë të tjerë të infektuar që kanë shkuar të marrin mjekim më të specializuar.

Lajmin e bëri të ditur gjatë intervistës për Report Tv në hapësirën live të pasdites.

“Janë diku 50 shqiptarë, edhe të Kosovës. Përgjatë 10-12 ditëve kam parë kërkesa të vazhdueshme, por edhe shqiptarë që ikin pasi shërohen. Sa i përket masave, këtu qytetarët të qortojnë nëse nuk mban maskën në rrugë apo kur je në ambiente të mbyllura”, tha ai.

Gorica zgjodhi që të mos jepte një shifër sa i përket faturës, por tha se kap vlera goxha të larta, megjithatë e gjitha varet nga gjendja e pacientit.

“Kjo varet në bazë të gjendjes së pacientit, është një kosto që shkon në vlera goxha të larta sepse nis që nga transporti me charter, regjimi spitalor ka koston e vetë, pacientët që vijnë nga Shqipëria kryesisht vijnë në gjendje të rëndë dhe ka kosto”, tha Gorica, i cili ndër të tjera dha lajmin e mirë se babai i tij është shëruar dhe shumë shpejt pritet të kthehet në Shqipëri./Shqiptarja