Nga tezgat e peshkut tek anijet dhe fabrikat “Coral Fish”, rruga e ndjekur nga Helidon Rrugia

Sikur Helidon Rrugia do të dekurajohej nga ato cfarë flisnin nën zë bashkëqytetarë të tij kavajas, kur ai, vetëm 15 vjecar, vendosi një tezgë në qendër të qytetit, ai nuk do të ishte kurrë ai që është sot. Sikur Helidon Rruga  të vihej në sedër  nga ajo që i thoshte përditë babai i tij, Skënderi, kur ai në vitin 1992 iu fut rrugës së konkretizimit të inisiativës së lirë, ai kurrë nuk do të mbërrinte në këtë “stacion” ku ndodhet sot. Sikur Helidoni të dorëzohej përpara qortimeve të babait, sikur ai të ndiqte sugjerimet e tij për karrierën dhe “rregullimin” afatgjatë është e sigurtë që ai do të kishte ngatërruar “korsinë”, duke ikur në “drejtim tjetër”. Ndërkohë që instikti e shtynte drejt kësaj rruge që ka përshkuar për afro 28 vite. Por edhe po të thyhej përballë këshillave të të atit apo vërejtjeve të tij, sërish kjo nuk do të ishte dicka e cuditshme. Duke qenë bir i një figure të nderuar të Kavajës, djalë i një mësuesi dhe drejtori të shkollave të ndryshme të Kavajës ti nënshtrohej autoritetit të prindit nuk ishte herezi. Përkundrazi, ishte më normalja që mund të ndodhte. Sepse Skënder Rruga nuk mund të dilte jashtë botëkuptimit të tij prej një intelektuali të kohës, i cili perspektivën e mirë të fëmijëve të tij e konceptonte nëpërmjet përfundimit të studimeve në universitet, fillimin e punës atje ku kërkon atdheu etj. Mirëpo nuk mendonte kështu djali i tij. Instikti dhe “konkluzionet” që kishte nxjerrë Helidon Rruga, duke shqyrtuar ndryshimet e mëdha historike që po ndodhnin në Shqipëri nuk ia sugjeronin kete. Ikjet e shumta të njerëzve në emigracion, papunësia e madhe si rrjedhojë dështimit të sistemit të mëparshëm ekonomik, mbylljet e fabrikave te shumta në Kavajë dhe gjithë Shqipërinë, braktisjet e universitetit etj kishin bërë të kuptonte në mënyrë intuitive që një kohë tjetër ka ardhur. 

Një kohë, kur përgjegjës për mirëqënien tënde është vetë individi. Dhe duke vazhduar me “kokëfortësi” dhe me risi në rrugën e tregut, Helidon Rruga filloi të ngjisë në mënyrë të njëpasnjëshme shkallët e suksesit. Filloi të rritej, filloi të përmirësojë aktivitetin në mënyrë kreative, për të arritur në aktualitetin e sotëm, kur ai disponon dy fabrika të përpunimit të peshkut, ferma të rritjes së peshkut, anije për zënien e peshkut, restorante të konsumit të peshkut, dyqane të tregtimit të peshkut etj. Pra një aktivitet të specializuar e të plotësuar në të gjitha hallkat e tij. Dhe nuk është vetëm fizionomia e veprimtarisë ajo që e dallon atë nga të tjerët, por mbi të gjitha janë treguesit që arrin kompania cdo vit, është performanca që ajo manifeston cdo vit, cka  e bën kompaninë lider në sektorin ku operon. Kur iu referuam vjet performancës së kësaj kompanie, thamë që ai ishte viti më i mirë i kompanisë. Mirëpo, ja edhe në vitin 2019  sërish, “Coral Fish” arriti që të përmirësojë  performancën, duke i avancuar më tej treguesit, krahasuar me një vit më parë.

Kjo performancë është e konkretizuar të paktën në 2 tregues domethënës për veprimtarinë e një kompanie.

Së pari, në xhiron e realizuar. Ajo që u shënua gjatë vitit 2019, ishte xhiro më e madhe e realizuar ndonjëherë nga kjo kompani. Një volum prej rreth 2.4 miliardë leësh, ose afro 19 milionë euro nuk është arritur asnjehere  prej saj dhe i krahasuar me vitin paraardhës, rritja ishte rreth 12 për qind. “Coral Fish” u rendit në vendin e 131 midis kompanive më të mëdha shqiptare.

Së dyti është treguesi i eksportit. Edhe ky tregues është në nivelin më të mirë absolut përgjatë gjithë viteve veprimtari të “Coral Fish”-it. Gjatë vitit 2019, kompania realizoi një eksport në nivelin e 1.35 miliardë lekëve ose 11 milionë eurove. Po qe se bëjmë një raport mes sasisë së eksportuar dhe asaj të ofruar për tregun e brendshëm, raporti është 60 me 40 për qind. Pra 60 për qind e totalit të aktivitetit të “Coral Fish”-it përbëhet nga eksporti. Mbi 1000 ton peshk i përpunuar është dërguar në tregjet e Italisë dhe Spanjës e kjo konsiderohet një arritje e madhe për kompaninë.

“Coral Fish” operon në sektorin e përpunimit të produkteve të detit që nga viti 1994. Prej shumë vitesh, kjo kompani operon edhe në tregjet ndërkombëtare, marrëdhëniet me të cilën janë intensifikuar së tepërmi vitet e fundit. Produktet e ofruara nga “Coral Fish” janë produkte me origjinë nga vendi dhe importi. Gama e gjërë e produkteve përfshin produkte të freskëta dhe të ngrira duke kënaqur kështu nevojat e një numri të madh konsumatorësh. Që prej themelimit janë bërë përmirësime progresive persa i takon zgjerimit të hapësirave të aktivitetit dhe përshtatjes së normave të punës dhe cilësisë së produkteve me të gjitha standartet e BE-së. Një përparësi të madhe biznesit i jep vendndodhja e stabilimentit pranë portit të peshkimit. Për më tepër, zotërimi i anijeve të peshkimit i jep mundësi “Coral Fish” për peshkim në detin Adriatik dhe Jon duke garantuar kështu një itenerar të shkurtër nga moment i peshkimit deri në fazën e përpunimit dhe të ruajtjes.

Stabilimenti i ri me një imazh bashkëkohor është inaguruar në vititn 2008. Sipërfaqja e zhvillimit të aktivitetit është 6000 m2, ndërsa baza ftohëse zë një hapësirë prej 5000 m3. Teknologjia e përdorur është mjaft bashkëkohore, gjë që i krijon kompanisë një avantazh konkurues.

Helidon Rruga ka në background-in e tij 28 vite përvojë në biznes, kurse “Coral Fish” rreth 26 vite. Dhe meqënëse tregimin e nisëm me disa hipoteza dhe supozime rreth fatit të Helidon Rrugisë, a do të arrinte vallë ai të bëhej një personazh i rëndësishëm i biznesit shqiptar, një person, veprimtaria e të cilit e bën të dobishëm atë për komunitetin durrsak dhe atë kavajas, nepermjet punesimit te qindra grave dhe vajzave ku ushtron veprimtarinë, po qe se do të thyhej përballë opinionit të atëhershëm?!

Nga: Shpëtim Luku/ Biznesmenet.com