Përqeshte mjerimin dhe njihej nga të gjithë në Tiranë, ndërron jetë ‘Ver Llapa’

“Ver Llapa”, që njihej nga të gjithë për mimikën dhe përqeshjet me gjuhën e tij, ka ndërruar jetë. Ai ishte kthyer prej vitesh në një nga personazhet më pikante në Tiranë.

Veri ka ndërruar jetë ditën e djeshme. Lajmin e ka dhënë drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve, Ilir Çumani.

“PËRSHPIRTJE PËR NJERIUN E MIRË….Jetove në mes tonë duke e sfiduar mjerimin tënd të bardhë në këtë botë hipokrite, tinëzare e të marrë fund, duke u tallur aq bukur e mençurisht me ironinë e fatit, gjithë gazmend e stoik, plot indiferentizëm e shpërfillje të gjithë këtij realiteti absurd ku bashkëjeton në mënyrë të pistë dhe absurde superluksi i pakicës së pushtetshme me mjerimin masiv të shumë të ngjashmëve të tu, si për të treguar se asgjë në këtë jetë nuk është e pafundme…

Ndaj, asgjë nuk duhet marrë seriozisht… Ishe engjëlli më i bukur dhe më i pafajshëm mbi këtë tokë, një dëshmi e gjallë ku luhet drama njerëzore, shkaktuar prej makutërve të panginjur e zemër katranë të pashpirtë, por të pangjashëm me pafajësinë dhe shpirtin tënd të bukur e të dëlirë naiv…

Ik VERI, prehu i qetë prej gjithë atij stërmundimi e përvuajtje të paepur që dëshmove në jetën tënde, një sakrificë prej cigani e bohemi që aq shumë ta adhuroja… Pusho në Paqe o NJERI ….. I mrekullueshëm i Zotit. R.I.P”, shkruan Çumani.