O Zot, ç’janë këto lajme të hidhura sapo hapim sytë”! Regjisori rrëqeth me fjalët për aktorin që vdiq nga Covid-19: Na pikëllove Fatmir!


Regjisori Pëllumb Kulla jep një mesazh prekës për vdekjen nga koronavirusi të aktorit fierak, Fatmir Xhelili.

Xhelili ka shërbyer për 47 vite rresht si actor në teatrin “Bylis” të Fierit dhe ka interpretuar krah emrave të mëdhenj si Fuat Boci, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj.
Rolin e parë ia besoi regjisori Pëllumb Kulla në komedinë me titull “Këpucët angleze”, i cili shkruan mes të tjerash “Ç’janë këto lajme të hidhura, që sapo hapim sytë dhe kompiuterin, na vijnë të zeza përpara syve dhe na godasin pa mëshirë”.
Pëllumb Kulla tregon që e ka takuar Xhelilin para shumë vitesh në lulishten e talenteve të reja amatore që në hapat e para të aktorit, ndërsa shprehet se ndjehet keq që nuk mund t’i hedhë një dorë dhe’ aktorit të madh.
Shkruan Pëllumb Kulla:
NA PIKËLLOVE, FATMIR XHELILI
O Zot!
Ç’janë këto lajme të hidhura, që sapo hapim sytë dhe kompiuterin, na vijnë të zeza përpara syve dhe na godasin pa mëshirë. Është një luftë e mallkuar, kjo?! Po, po! Është një luftë e vërtetë.
Na e mori edhe Fatmirin!
Jemi të traumatizuar. Pas bisedës së fundit pardje me Metin, i trembeshim këtij lajmi. Edhe ky lajm, erdhi.
Lamtumirë Fatmir, u prehsh në paqë, o artist i shtrenjtë! I pamëshirshëm fati, të ikësh në një moshë kaq të re, të shuhesh tok me atë buzëqeshjen tënde të pashterrur, në kohën kur ti ende shpalosje në lartësira dinjitoze talentin tënd të rrallë… Vërtet të rrallë!
Ike aq i ri, o Fatmir, sa unë nuk arrita të të shpreh sa duhet dhe si duhet falenderimin që jetove tok me ne, që të takova aq herët në lulishten e talenteve të reja amatore, që qysh në hapat e para në shfaqjen tënde në skenën profesioniste na dhurove karaktere autoritarë, të papërsëritshëm, që na gëzove me arritjet e rralla në artin tënd, me figura të nivele të larta dhe ndjenjën e shkëlqyer të humorit dhe diapazonin dramatik, që shumë aktorë të komedisë, sado të shquar, nuk e zotërojnë dot. E dëshmojnë recitimet e tua poetike.
Ngushëllime familjes së gjerë Xhelili: Bardhës, fëmijëve, Petritit, Metit, Agimit dhe gjithë njerëzve të dashur të rrethit familjar. Ngushëllime dhe ty, i dashur Petro Koçi, edhepse na helmove me lajmin e kobshëm që na përcolle në këtë vend mijëra e mijëra kilometra oqeanësh larg.
Ngushëllime kolegëve të afërt, Hasanit, Vasos, Luftarit, Zanës, Todit, Natashës, Shpëtimit, Arqilesë, Sotirit, Astritit, Hatemes, Miolës, Mozës, Dorit, Klajdit dhe gjithë familjes artistike të skenës fierake!
Unë dhe Xhuljeta nuk jemi atje të të hedhim një dorë dhé, Fatmir Xhelili.
Të qoftë i lehtë ai! U pjekshim në kujtimet tona të bukura me ty.