Kërcënonte policin dhe familjen e tij përmes rrjeteve sociale, pranga të riut nga Kavaja. Hetimi 6 mujor fundos 24-vjeçarin


Një i ri ka rënë në pranga, pasi akuzohet se ka kërcënuar me vrasje një punonjës policie. 

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se A. S., 24 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të punës për parandalimin, hetimin dhe zbardhjen e krimeve kibernetike, nga Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit u zhvillua dhe finalizua me sukses operacioni policor “KËRCËNIMI”.

Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një punonjës policie i cili ndihej i kërcënuar në rrjetet sociale, për shkak të detyrës, nga një shtetas i panjohur.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kavajë për masën e sigurisë “Arrest në burg”për shtetasin:

A. S., 24 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.
Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme. Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale kanoste në mënyrë të vazhdueshme punonjësin e policisë dhe familjarët e tij, për shkak të detyrës që ky punonjës kishte kryer. Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon celular i markës “Samsung”. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas. Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.