Zëvendësministri i Infrastrukturës Etjen Xhafaj, duke folur në emisionin “Real Story” në “News 24”, deklaroi se janë bërë deri tani 23 mijë vlerësime objektesh të dëmtuara nga tërmeti vetëm në Tiranë.
“I është bërë ftesë opozitës që të marrë pjesë në procesin e rindërtimit. Opozita vetëm kritikon dhe ky është rol shumë komod. Opozita bën zhurmë, sepse nuk ka fakte. Vetëm në Tiranë, janë bërë 23 mijë vlerësime. Në këtë proces, janë përfshirë edhe inxhinierë nga Kosova e rajoni. Rindërtimi bazohet mbi parimin human për strehimin”, tha Xhafaj.
Etjen Xhafaj theksoi se nga bonusi i qirave përfitojnë 90 përqind e të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Një pjesë e njerëzve rrinë në çadra, sepse duan të rrinë në pronat e tyre. Nga bonusi i qirave përfitojnë 90 për qind e të prekurve. janë mbi 13 mijë familje që iu paguhet bonusi i qirasë, deri në ditën që do të hyjnë në shtëpi”, theksoi Xhafaj.