Kryeministri Edi Rama ka hedhur sërish akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), duke thënë se ka marrë nën hetim ish-gjyqtarin Ardian Dvoranin, pas një denoncimi të Presidentit Ilir Meta.
Sipas tij, SPAK hetoi një kampionin e anti-korrupsionit, ndërsa gjyqtarë dhe prokurorë me pasuri marramendëse të përjashtuar nga vettingu nuk u ka hyrë gjemb në këmbë.
Më tej Rama u shpreh se e gjithë Shqipëria mezi pret që ta shohë para dyerve të SPAK, Presidentin aktual, Ilir Meta.
“Sa kthen policia dhe inspektorati kurrizin, disa krye bashkiakë dhe policë lokalë vazhdojnë avazin me ndërtimet në det. Nëse s’do isha ende në pritje që SPAK të bëjë punë më të mëdha, mbase do kisha qenë unë që do bëja denoncimin sot. Nuk kam se si t’i shtoj SPAK punët sot në drejtim të kësaj partie politike, kur shoh që balanca është shumë e shtrembëruar.
Në Kongres solla arkën e peshkut, e dini që SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar minutë për minutë që të bllokojnë Ardian Dvoranin, e vlerësuar nga sekretari i shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit, që të mos e lejojnë të hynte në proces për gjykatës.
SPAK në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte sahat zviceran për atë njeriun që për pak ditë ose javë do largohet nga zyra e presidentit të republikës.
Sa Gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë jashtë nga vettingu me pasuri marramendëse të pajustifikuar do ishin sot në burg. Peshkaqen të mëdhenj i flaku vettingu, ku janë sot. Asnjë gjemb nuk u ka hyrë në këmbë.
BE e ka lënë me shkrim, kur të ulemi në tryezën e negociatave do na thonë është sa prokurorë dhe gjykatës të korruptuar janë marrë ne hetim dhe vënë para drejtësisë, zero. E kundërta është e vërtetë, kampioni anti-korrupsionit është futur në hetim nga SPAK për një denoncim të kujt, të atij që jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës. Po si qenka kjo.
SPAK bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin që jeton në një apartament të para viteve ’90.
Ata që kanë rreshtuar vilat, njëri ma fali baxhanaku, këta janë të gjithë duke pritur finalen e Champions League për të shkuar në Paris. Siç kanë shkuar në të kaluarën dhe kanë dalë së kush ua ka paguar udhëtimet. Për të mos folur për non gratën e madhe që e kemi mes sheshit, bashkë me shpurën e tij që nuk ulen të negociojmë me ne po nuk ua dhamë atë presidentin. Është siç thoshte një plakë rome që unë e kisha qejf, “të kesh dy një ta mbash dhe një ta çash, se një s’mjafton”.