Këto ditë doli nga botimi libri me poezi “Sytë e dashurisë“. Për t’i dhënë pak informacion lexuesit po postojmë parathënien e tij.
Parathënie
… Zjarr ta ndezim dashurinë…
Kur bëj ecjen e mëngjesit, sapo marr të përpjetën e kodrinës me ullishtë të fshatit Ҫetë, shtang nga orkestrina e magjishme e zogjve këngëtarë.
Pa tekste këngësh, pa pentagrame, pa vegla muzikore, pa dirigjentë.
O Zot, them me vete, një mrekulli hyjnore.
I përhumbur në muzikën e tyre çudibërëse mbështetem në bordurën e lartë prej betoni.
Nuk mund të eci dot.
Një koncert i përmasave mbinjerëzore.
Nën degët e pemëve kurorgjëra, “këngëtarët” e harlisur shpërthejnë në melodi marramendëse.
Bashkë me agun qё zbardh, gjithçka zgjohet nga gjumi i madh. “Këngëtarët” zëmëdhenj largojnë tutje plogështinë e natës, gjallërojnë të përgjumurit me tingujt magjikë.
Gëzojnë shpirtrat e tyre.
I paraprijnë ditës së re…
Jetës së përditshme…
Unë i afrohem një “këngëtari” të vetmuar. Eci shumë ngadalë. Kam frikë mos e tremb. Mirëpo, ai s’don t’ia dijë fare për mua. Krejt mospërfillës. I përhumbur në mikrobotën e tij.
vazhdon ligjërimin e vet. Nuk don t’ia dijë se dikush po e dëgjon me endje. I mjafton vetvetja.
Ai këndon e këndon në qejf të vet. Kënaqet deri në ekstazë, kur ndan me tё tjerët ndjenjat e tij, gëzimet e tij, trishtimet e tij, hallet e tij, shpirtin e tij.
Kordat e tij muzikore herë harlisen e herë vajtojnë, herë shpërthejnë hareshëm e herë kuisin. Nuk don t’ia dijë fare pёr mua, nëse ekzistoj, apo nëse e pëlqej.
Mesazhi i tij muzikor, sikur më thotë: Ej, ti kalimtar, nëse e pëlqen këngën time, ndalu e dëgjo. Kënaqu, drithëroje shpirtin tënd bashkë me mua. Nëse kënga ime të pëlqen, eja përsëri. Ndryshe, ec, shko tutje, vazhdo rrugën, gjeje kënaqësinë dhe vetveten tjetërkund.
A nuk është i tillë edhe poeti? A nuk është edhe ai “një zog këngëtar”? A nuk është edhe ai një artist virtuoz, që nga zgjedhja e fjalës dhe vendosja e saj në varg me muzikalitetin e një kënge?
Kështu ai kënaq vetveten, përçon tek lexuesit ndjenjat e tij, botën e tij, përjetimet e tij, gëzimet e tij, trishtimet e tij.
Nëse e pëlqej, e lexoj, e rilexoj, e mësoj përmendësh, Një poezi e bukur nxit kompozitorin ta hedh në pentagram. Nёse nuk e pёlqej: ej ti, lexues vazhdo rrugën, kërkoje dhe gjeje kënaqësinë estetike nё libra tё tjerё, nё arte tё tjera…
Në zellin e ligjërimit frelëshuar të shpirtit njerëzor poezia gjithmonë paraprin. Ajo ngacmon së brendshmi poetin dhe lexuesin. Ajo vjen herë si një pëshpërimë e ëmbël, herë si një dallgë e tërbuar, herë si fëshfërimë gjetheje e këputur, herë sikur na ngjit në qiellin e shtatë, herë na ngroh kur ndjejmë dridhma, herë na rrënqeth në mish e shpirt nga dhimbja.
Poezia e bukur të kënaq, të largon stresin, harron hallet, ajo të shpie në një botë tjetër. Ditën e mbaj mbi komodinë, natën kur shtrihem, zgjas dorёn dhe e lexoj. E lexoj, e rilexoj për të disatën herë. Dhe gjithnjë me endje. Dhe gjithnjë po e njëjta kënaqësi. Kur më mbyllen sytë, e vë nën jastëk. Nëse zgjohem natën dhe sytë nuk më mbyllen, e marr nga nënkresa dhe lexoj. Më qetëson, më kënaq. Gjumi më zbret si me magji.
Kjo është poezia.
Këtë tenton edhe libri “Sytë e dashurisë”.
Poeti i ëmbël Sefer Hoxhalli, që u nda papritur nga kjo jetë muajin e shkuar, kur redaktonte këto vjersha të shkruara nëpër vite, më thonte:
…Më shumë se një vëllim poetik, ky libër më ngjan me një nevojë të brendshme për të komunikuar me njerëzit, për ta çliruar ndjenjën më të bukur njerëzore nga format stereotipe, të varfra e narcistike.
Kur e nisa këtë përmbledhje krijimtarie të shkruar në kohë të ndryshme, pata një synim: Më shumë se fjala ime, të shkonte tek lexuesi shpirti im, ku vargu të gjente brenda e jashtë vetes magji ligjërimi, ku lexuesi pas çdo vargu, katrene e poezie të dëgjojë jo aq zërin e atij që e ka shkruar, por atë të shpirtit të vet.
Tek “Sytë e dashurisë”, është synuar e hyjshmja, e magjishmja, kthimi i pëshpërimave në fjalë e poezi, që kur ato të dalin nga bota e thellë e dyshimit, hutimit, dëshirimit, ëndërrimit dhe rebelimit poetik në dritën e diellit, të jetojnë me njerëzit.
Poeti është, vёrtet, i çuditshëm. Me muzën e tij ai bredh ditën dhe natën si një sonambul. Dhe mbledh gёzime copёza lumturie, lёndime dashurie, psherëtima, ofshama, të qara, këngë dhe vaje, hije e dritëza dhe me ‘to gatuan vetveten, atë që lexuesi ta ndeshë në çdo varg, katrenë e poezi të librit.
“Sytë e dashurisë”, i shkruar nëpër vite, duke qenë sprova e parë dhe e fundit poetike e autorit, mund t’i ngjajë një kopshti luleshumё, por i lënë disi pasdore, nga pёrhumbja e autorit nё hapёsirёn e pafund tё prozёs. Mbase i mungojnë edhe disa aroma lulesh, ndonëse “kopshtari’ është kujdesur që lulet që kanë mbetur gjallë, të kenë ngjyra, aromë dhe freski, për të shprehur gjithçka ai don, por pa mërzitur askënd.
“Sytë e dashurisë” është një sprovë për të shprehur atë që ndjejmë, ashtu si e ndjejmë, larg klisheve e tabuve moralizuese. Ajo nuk deklamon, por kumton, nuk ngre e nuk shemb, ajo synon të himnizojë shkulmet e shpirtit e të shenjtërojë kujat e dhimbjes duke përgjithësuar forcën e përjetimit të dashurisë njerëzore.
…Në tundimin e Evës dashuria ime u ngjiz
në vuajtjet përpëlitëse të mëkatit të parë,
kur mendja më ikën e nganjëherë lajthis,
pas dashurisë hyjnore unë rend si i marrë…
A u t o r i REFAT HOXHA