Vdekja e Ilvi Meta në Komisariatin e Kavajës/ Grida Duma nxjerr fotot: Ngjajnë më shumë me lidhëse këpucësh, duket me sy të lirë


Deputetja demokrate Grida Duma publikoi gjatë fjalës së saj në Kuvend dy foto që sipas saj tregojnë një lidhëse që ngjan me atë të këpucëve ku pretendohet se ka vrarë veten i riu Ilvi Meta në Komisariatin e Kavajës.

Duma u shpreh se me një sy normal mund të kuptohet se një gjë e tillë vështirë se mund të ndodhë. Ajo tregoi se ka shkuar mbrëmjen kur ndodhi ngjarja në familjen e djalit ku është hasur me vajtimin e nënës dhe pretendimet e të atit i cili ka thënë se nuk ka mundësi që ai të ketë vrarë veten.

“I ftoj kolegët e mazhorancës dhe opozitës me gjithë padëshirën për të bërë jetë parlamentare t’i hedhim një sy kësaj fotos këtu. Janë dy foto në Komisariatin e  Kavajës me një lidhëse që ngjan me atë të këpucëve më shumë se lidhëse kapuçi që pretendohet se ka vrarë veten. Një sy normal nuk ka nevojë për ekspertizë për të kuptuar se zor se mund të ndodhë kjo.

Këto janë provat e administruara. Sigurisht kemi qenë, do qëndrojmë gjithmonë përkrah drejtësisë dhe hetimit. Ndaloj tek ky rast për një arsye edhe më madhore se zbardhja e të vërtetës. Sepse kam shkuar atë natë në familjen e djalit të vdekur në Komisariate dhe më e kobshme se sa vdekja në të gjitha humbjet e jetëve është një vajtim, sidomos i nënës dhe grave të familjes, por aty kishte pllakosur heshtja. Mpirja, mungesa e të vërtetës dhe trauma ishin më të mëdha se morti.

Aty tek ajo familje përveçse ishte vuajtja e njerëzve të shkelur të cilët janë të paragjykuar dhe të gjykuar, pyeta për çfarë akuzohej djali, tha për një derë alumini, për vjedhjen e një dere alumini. Madje tha se e kanë dënuar disa herë për gjëra që nuk i ka kryer, madje është dënuar kur ka qenë tek motra në Greqi, e kishin bërë zakon tha, sa herë që ndodhte ndonjë vjedhje ordinere gjenin fajtorin tek ai. Mendoj se sa janë ata që nuk mbrohen dot.

Nuk e besoj kurrë që ka vrarë veten, kështu shprehej i ati. Nëse të rrëshqet njëherë këmba në këtë vend ti do jesh përjetësisht si ai bishti i qenit. Nuk ka më të madhe se humbja e jetës së një njeriu. Si thonë raportet e avokatit të popullit këto janë fenomene të ndodhura në komisariatet e policive. Problemi më i madh është se një i ri i cili diku për shkak se ky sistem nuk ka asnjë institucion edukimi, mund të çojë deri në vdekje të fshehur. Këtu po i rrëshqiti këmba të varfërit je i mbaruar”, u shpreh Duma.