Ndërron jetë në moshën 59 vjeçare, Kasem Hysenbelliu, presidenti i televizionit Fax News dhe ish-drejtues i grupit mediatik News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, Radio RASH dhe gazetës “Panorama”.
Biznesmeni i suksesshëm, Kasem Hysenbelliu u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, ku ndodhej i shtruar prej disa javësh, si pasojë e komplikacioneve të shfaqura nga Covid-19. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të mjekëve dhe lutjeve të familjarëve apo miqve të tij, ai nuk mundi të fitojë ndaj pabesisë së virusit.
Hysenbelliu themeloi dhe administroi televizionin ‘Fax News’ që nga tetori 2017, ndërsa për vite me radhë drejtoi me përkushtim e sukses, grupe të rëndësishme mediake në vend, si Gazeta Panorama, e për vite me radhë televizionin News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare e Radio Shqiptare.
I martuar, baba i dy fëmijëve, Kasem Hysenbelliu do i mungojë familjes, por edhe të gjithëve që e njohën dhe punuan me të, si një njeri i qeshur, optimist, drejtues, koleg dhe bashkëpunëtor i shkëlqyer, që kontribuoi në ngritjen më cilësore të medias, nëpërmjet afrimit të njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar.
Stafi i News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, e Radio Shqiptare shprehin ngushëllimet familjarëve, miqve e kolegëve për këtë humbje të parakohshme.