Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Korçës, Markelian Kuqo. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala.
Gjyqtari Markelian Kuqo akuzohet se ka liruar nga burgu të dënuarin me burgim të përjetshëm Gert Gjinarari, i njohur ndryshe edhe si “Gjenerali”.
“Në përfundimet mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë Artur Metani argumentoi se veprimet e mosveprimet e ndërmarra nga gjyqtari kanë cenuar besimin, që magjistrati duhet të përcjellë tek publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë, kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson, duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit M.K. më 2 prill 2020, bazuar në një kërkesë të depozituar nga ministri i Drejtësisë, pasi gjyqtari më 14.02.2019 vendosi/urdhëroi lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997. Vendimi për lirimin u rrëzua nga Gjykata e Apelit Korcë gjashtë muaj më vonë.
Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet në fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka në proces hetimi për vendimmarrje të ngjashme edhe magjistratë të tjerë dhe pas përfundimit të hetimeve do marrë vendimet përkatëse”, thuhet në njoftimin e KLGJ./Bw