Vrasja e 25-vjeçarit/ Protestuesit konfrontohen me policinë, qëllojnë me gurë mbi efektivët. Thyhen xhamat tek Muzeu, hidhet gaz lotsjellës

Nis protesta e dytë në kryeqytet pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, i cili dy ditë më parë theu orën policore dhe nuk iu bind urdhrit të policit për të ndalur, veprim që e pagoi me jetën e tij, policia ka ndërmarrë të gjitha masat për t’iu paraprirë çdo situatë të mundshme.

Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Brendshme po qëllojnë me gurë efektivët e policisë dhe kanë shkulur pemë dekorative.

Siç shihet dhe nga fotot e siguruara nga gazetarja Dorjana Bezat për ‘BalkanWeb’, shihet se në kryeministri do të stacionohen dhe autoblinda të policisë. Po ashtu Bezat raporton se në terren ditën e sotme të angazhuar në ruajtjen e sigurisë sot në protestë do të jenë 800 punonjës policie, ndërsa tubimi thuhet se do të nisë nga Ministria e Brendshme. Mësohet se policët kanë marrë direktiva të qarta që të mos bien pre e provokimeve në protestë, ndërsa qytetarëve iu është bërë thirrje që të shmangun tubime të tilla, pasi është e ndaluar në këtë kohë pandemie.

Ora 18:24- Qetësohet situata tek ministria e Brendshme pas konfrontimit të parë. Duket se ka një tërheqje të protestuesve. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi se një pjesë e protestuesve është larguar nga Ministria e Brendshme dhe i është drejtuar Rrugës së Durrësit.

Gaz lotsjellës, të shara e përplasje, ja çfarë po ndodh në protestë
Ora 18: 15- Konfrontime mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit kanë hedhur sende të forta mbi efektivët, ndërkaq policia është përgjigjur me gaz lotsjellës.

Nis protesta, qytetarët qëllojnë me gurë policinë
Ora 18:02- Ka nisur protesta e dytë e paralajmëruar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, mëngjesin e 8 dhjetorit në Tiranë. Protestuesit e mbledhur tek Ministria e Brendshme kanë qëlluar me gurë mbi policët e bërë gardh për mbrojtjen e institucioneve dhe kanë shkulur disa pemë dekorative. Pavarësisht shiut që ka nisur, protestuesit janë të shumtë dhe të shpërndarë në disa pika./Bw