Vëllezërit dyshohet se u ekzekutuan pranë kanalit! 15 të shoqëruar, kafja e fundit dhe hetimet

Vëllezërit Andrea dhe Martin Olldashi të cilët u gjetën të vrarë dje në Maliq, dyshohet se janë ekzekutuar pikërisht në vendin ku u gjetën të pajetë të mbuluar me dhe, në fshatin Zvirinë të Maliqit.  Nëna e tyre ka deklaruar para uniformave blu se ditën që kanë dalë nga shtëpia, djemtë nuk kanë shfaqur ndonjë shqetësim duke mos krijuar ndonjë dyshim tek ajo.

Lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar 15 persona, shokë të afërt të viktimave të cilët kanë deklaruar se nuk kanë asnjë dijeni për ngjarjen. Ata janë shprehur se një ditë para zhdukjes kanë konfirmuar kafe me njërin prej viktimave.

Hetimet tashmë janë përqendruar tek pista e larjes së hesapeve pasi viktimat ishin me precedentë, për veprat penale vjedhje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Në vitin 2012 ata janë akuzuar për vendosjen  e tritolit në lokalin e Gjergji Lekës.

Vëllezërit Olldashi ishin larguar nga shtëpia e tyre në Pogradec, prej datës 7 Dhjetor ndërkohë që u gjetën të vrarë me armë zjarri një ditë më parë në fshatin Zvirinë pranë arave bujqësore. Ata u konstatuan nga banorët e zonës të cilët panë njërën dorë të njërit prej viktimave të lënë jashtë, në kanalin vaditës ku ishin mbuluar me dhe.