Elvis dhe Fatma Naçi kishin përgatitur një surprizë të veçantë për motrat nga Kavaja, përmes celularit i njoftojnë të takohen diku, por vajzat nuk e dinë se për herë të parë në jetë ato bashkë me prindërit do të jetojnë në një shtëpi të vërtetë. Vajzat e kanë ëndërruar këtë moment qindra herë dhe ja ku e kanë. “Jam shumë i lumtur sot, më duket se edhe ne do marrim një shtëpi. Ato vajza kanë jetuar në kushte katastrofale, sot për atë familje do ketë një ndryshim drastik, do i telefonoj tani për t’i dhënë lajmin”, thotë Elvisi Fatmës.
“Ali dëgjo, unë nuk erdha tek shtëpia e vjetër, nuk e shikoj dot atë shtëpi, kur erdhëm nuk kishte vend, sot ne shpresojmë që vuajtjet tuaja të marrin fund sot po gëzojmë të gjithë, të lutem merri vajzat ne po ju presim, stafi do vijë, zemrat i kemi plot se shpresojmë që sot të shndrijë një diell, larg errësirës dhe sot shpresojmë të bëjmë diçka shumë të bukur, duam që t’i bëjmë të lumtura vajzat. Ikni andej bëhuni gati stafi do u sjelli këtu tek ne”, i thotë Elvisi kryefamiljarit, babait të vajzave.
“Jemi para një emocioni shumë të madh që do gëzojmë një familje sot, kanë përjetuar një dhimbje të madhe, kjo shtëpi e re më ka emocionuar shumë, është një ëndërr për këtë familje”,-shprehet e emocionuar Fatma. Me të mbërritur në shtëpinë e re vajzat nuk mund ta besojnë se ëndrra e tyre tashmë është kthyer në realitet. “Sot falë ndihmës së shqiptarëve ne do jetojmë të qeta, falënderojmë gjithë shqiptarët dhe shpresojmë se një ditë do u ndihmojmë edhe ne ju”, thanë njëzëri motrat. “Shqiptarët ju duan”,-u tha Fatma motrave./Bw