Arritje historike. Shqipëria kampione Europe në gjimnastikë. Është Matvei Petrov, një gjimnast rus i natyralizuar shqiptar disa vite më parë, që shpall Shqipërinë kampione Europe.
Në një intervistë ekskluzive për Ora News dhe gazetarin Altin Sulçe ai dhe trajneri i tij Alon Hasa kanë folur për publikun shqiptar.
“Është një moment historik për gjimnastikën shqiptare”, u shpreh Hasa.
“Historia është shumë e bukur sepse Matvei është gjimnast prej 26 vitesh. Ka qenë nënkampion Europe për të rinjtë për Rusinë dhe para katër vitesh kur nisi punën te palestra jonë, në Pragë, unë munda Matvein të besonte idenë time e të fillonte sërish stërvitjen dhe të bënte gara për Shqipërinë sepse në një kohë mund të shkonte në Lojërat Olimpike për Shqipërinë. Gjithashtu në këto kohë mund të fitojë medalje si kampion Europe, kampion bote. Matvei para tre muajsh fitoi medaljen e bronxtë në Botërorin e Hungarisë dhe pas dy muajsh fitoi medaljen e artë në Europian”, vijoi më tej tekniku shqiptar.
Ndërsa atleti rus, por që tani përfaqëson ngjyrat kuqezi, u shpreh se: “Unë jam shqiptar. Not yet (ende jo). Unë jam 30 vjeç dhe vendosëm që edhe tre vjet të tjera, deri në Lojërat Olimpike të Parisit, do të tentoj të fitoj Lojërat Olimpike. Ky është qëllimi im”.
Kampionati u mbajt në Mersin të Turqisë. Petrov arriti të mbledhë më shumë pikë se gjithë rivalët e grupit ku pretendentët më të fortë ishin sportistët nga Turqia dhe Kroacia.