Vrasja e efektivit të FNSH-së/ Lihet në burg Nikollë Sherrniku. Avokati: Është i pafajshëm, atë ditë ka qenë duke festuar ditëlindjen


Një prej të dyshuarve për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prelës, Nikollë Sherrniku është lënë në burg.

Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Sherrnikun. Avokati i Sherrnikut deklaroi se vendimi i marrë nga gjykata është i pambështetur në prova.

“Gjykata ka marrë një vendim të gabuar. Ky vendim nuk është mbështetur në prova. I dyshuari është i pafajshëm”, ka thënë avokati.

Sipas avokatit të Sherrnikut, klienti i tij, ditën e vrasjes së Prelës ka qenë duke festuar ditëlindjen. Ai ka shtuar se emrat e tjerë të dyshuar për vrasjen e policit nuk kanë lidhje me klientin e tij.

Xhulio Prela sipas prokurorisë së Lezhës u vra pas një debati të çastit për dritat e gjata të makinës.

Autorët janë konfliktuar. Sipas këtyre burimeve, autori i dyshuar kryesor për ngjarjen kishte dale për gjah natën e krimit, më 5 dhjetor dhe është filmuar nga kamera e një karburanti kur ka furnizuar makinën 3 minuta para ngjarjes. Në pamjet e kamerave të sigurisë, autori rezulton i veshur me rroba ushtarake.

Përveç Sherrnikut, për ngjarjen e rëndë është shpallur në kërkim dhe një person tjetër, Brilant Martinaj i dyshuar si bashkëautor në vrasjen e 26-vjeçarit në aksin rrugor Lezhë-Milot në zonën e Gajushit. B.Martinaj është kushëriri i Ervis Martinajt, një emër i njohur për autoritetet shqiptare, pasi ka qenë i përfshirë në vrasjen e regjistruar më datë 4 tetor në zonën e ish-Bllokut. Policia njofton se Prela dhe 2 personat, kanë filluar konfliktin për shkak të dritave të gjata të makinës.

Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë. 26-vjeçari është nisur nga Tirana për në aeroportin e Rinasit në orën 01:00 të natës për të marrë një mikun e tij e për ta dërguar drejt fshatit Kosmaç në Shkodër.

Pasi e dërgoi mikun e tij në Shkodër, gjatë kthimit efektivi i policisë ka parë një automjet, dhe një person që kishte dalë nga makina, po ia bënte me drita me një elektrik dore. Hetuesit dyshojnë se punonjësi i policisë Prela, ka menduar që personi që ia ka bërë me drita, ka kërkuar ndihmë, ndaj dhe Prela është kthyer pas.

Ai ka kthyer makinën me sens drejtimi nga Tirana në Lezhë, dhe i është afruar personin që ia ka bërë me dritë. Më tej, ka ulur xhamin dhe ka parë një individ, që sipas policisë, ka shumë gjasa që ta ketë njohur.

Punonjësi i policisë ka tentuar të largohet me shpejtësi, ndërkohë është përballur me të shtënat e armës,. Agresori ka përdorur në krim një pistoletë TT.