Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me takimin e tij sot me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ lideri demokrat akuzoi qeverisë se rriti tarifat e studimit dhe futi në vështirësi familjet shqiptare. Mes të tjerash Basha tha se në këtë kohë pandemie studentët nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
Studentët shqiptarë nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria gjatë kësaj pandemie. Gjatë bashkëbisedimit me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të rinjtë shprehën zhgënjimin që ata u gjendën pa asnjë mbështetje financiare për studimet e tyre.
Pasi i rriti tarifat e studimit dhe futi në vështirësi financiare 90% të familjeve shqiptare, qeveria e tij nuk ofroi asnjë zgjidhje për studimet në kohë pandemie. Edhe pse studentët po ndjekin mësimin online, ata vazhdojnë të paguajnë të njëjtat tarifa për një proces që ata e konsiderojnë të dështuar.
7 vite premtime të pambajtura të Ramës, e kanë shkatërruar sistemin bujqësor. 7 vite asnjë subvencion për fermerët, për blegtorët. Të rinjtë po largohen, degë të rëndësishme për bujqësinë dhe jo vetëm mbyllen sepse Edi Rama e ka mendjen vetëm te klientët e tij që thithin të gjitha paratë e buxhetit dhe pasuritë e vendit.
Studentët e UBT-së shprehën zhgënjimin me qeverisjen e keqe dhe dështimin e saj në disa sektorë kyçë si bujqësia, turizmi, dhe punësimi i të rinjve. Turizmi, agrobiznesi, agropërpunimi dhe blegtoria janë fusha të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën dhe mungesa e ndihmës nga qeveria në këtë kohë pandemie ka përgjysmuar konsumin dhe dëmtuar rëndë këta sektorë.
Për bujqësinë, plani ynë ekonomik parashikon 100 milionë euro subvencione direkte për fermerët dhe 50 milionë euro investime në infrastrukturën fizike, përfshirë rrugët, kullimin, vaditjen dhe tregjet. Fermerët shqiptarë do t’i çlirojmë nga taksa Rama mbi karburantin, do t’u ulim koston e prodhimit dhe do t’i ndihmojmë të eksportojnë produktet e tyre.
Punësimin e të rinjve ne do ta përshpejtojmë me 10 mijë praktika pune të paguara me një pagë 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Të gjitha përvojat tregojnë se 70-90% e studentëve që bëjnë një praktikë profesionale punësohen. Ky program i dedikuar për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre kushton sa një koncesion i Ramës dhe oligarkëve rreth tij.
Ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja në Ballkan. Me taksën e sheshtë 9%, me qeverinë e vogël dhe reduktimin e burokracive ne do ta bëjmë shumë të lehtë të investohet në vendin tonë. Vetëm nga taksa progresive e Edi Ramës ne kemi humbur miliarda euro investime.
Mjaft është mjaft! Është koha ta ndryshojmë këtë gjendje!
Shqipëria është vend i mundësive të shumta, i potencialeve të pakonkurrueshme dhe pozitës gjeografike më të lakmueshme në Ballkan. Por gjëja e fundit që mendon Edi Rama janë qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre. Më 25 prill, do ta çlirojmë vendin nga pengmarrja e Edi Ramës. Bashkë me të rinjtë briliantë të Shqipërisë do të sjellim ndryshim, mundësi dhe shpresë të re për çdo familje shqiptare.