Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur pengmarrje arrestimin e ish krerëve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale. Kreu i ekzekutivit shqiptar, pas takimit me ushtruesin e detyrës se kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, takim të cilin e cilësoi si ndër më emocionalet tha se çlirimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve do të kërkojë kohën e vet, por e vërteta në fund do të triumfojë.
“Për hir të vërtetës ishte një takim më emocional sesa zakonisht pasi kushtet në cilat takohemi janë kushte që janë krejt të posaçme për faktin se udhëheqësit e UÇK-së, Kosovës dhe PDK-së sot janë marrë peng. Janë marrë peng, siç është marrë peng përmes tyre lufta e Kosovës, historia e luftës dhe e vërteta e kësaj lufte. Natyrisht çlirimi i pengjeve do të kërkojë kohën e vet, kur e them këtë nuk e kam parasysh vetëm qenien fizike të tyre, por pengun më të madh që është e vërteta e luftës dhe lufta vet”, tha ai.
E ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, njëherit kandidat për kryeministër të vendit, Enver Hoxhaj tha se historia e drejtë e Kosovës nuk mund të ndryshohet asnjëherë.
Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri Rama para gazetarëve dërgoi edhe një porosi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët që janë duke qëndruar në paraburgim në Hagë.
“Uroj për një vit të ri sa më të lehtë Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve që do të kalojnë këtë vit të ri larg familjeve të tyre. Për aq sa mundet u them të mos e humbasin besimin, kanë parë edhe më të këqija se kaq. Pasi e vërteta do të triumfojë, jo për ta personalisht por edhe për Kosovën në radhë të parë”, tha ai.
Sot gjatë tërë ditës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka qëndruar në Tiranë ku takoi krerët më të lartë institucional dhe politikë./ Kosova Press