Mjeku Ilir Allkja u hoq nga puna 30 dhjetor në Urgjencën e QSUT me arsyetimin se ka shkelur etikën e punës duke publikuar dokumente konfidenciale nëpërmjet rrjeteve sociale. Mbrëmë mjeku në “Zonë e Lirë” është shprehur se nuk ka bërë shkelje të etikës.
“Unë jam rritur që fëmijë me frymën e lirisë, kam respektuar që në vitet e studimeve dhe tani gjithë normat sociale dhe qytetare. Si mjek kam bërë më të mirën për pacientët e mi. Unë për drejtorin e spitalit kam bërë një thirrje pasi lidershipi i tij ka vazhduar nga fillimi i pandemisë e deri tani, që drejton katër spitalet Covid, nuk kam parë asnjë qasje të tij me stafet mjekësore. Unë kam besuar në lirinë time dhe në të drejtat e mia. Në të gjitha daljet dhe shkrimet e mia kam kërkuar që të ketë më shumë përgjegjshmëri. Ishte e habitshme, është një dalje e paprecendtë e një kryeministri që të merret publikisht me një mjek vetëm sepse ai kërkoi më shumë siguri në punën e tij. Uniformat janë njëpërdorimshe, në atë video-mesazh që lançova atë kohë këtë thosha, isha në tre raste të dyshuara me Covid pa veshje. Jetojmë në një realitet përrallë, kam bërë atë fëmijën naiv tek përralla e Hans Andersenit. Nuk e mendoja që do më hiqnin nga puna. Mjekët në Shqipëri po trajtohen si malli më pavlerë. Nëse nuk do guxoja ta ngrija zërin që të bëhej problem, askush nuk do ta ngrinte”, tha mjeku.