Krimin nga pushtetarët e shohim çdo ditë me sy dhe të gjithë heshtim, por kur në Kavajë u raportua ndalimi i “Robin Hudit” të oksigjenit, mediave u shndërriti interesimi për të ndjekur një çështje. Mensur Shtylla, i punësuar prej muajit shtatorit 2019 në pozicionin e specialistit të oksigjenit pranë Spitalit Rajonal Kavajë, dhe i shkarkuar nga puna më 11 janar 2021, akuzohet për shpërdorim detyre sepse rreth tridhjetë (30) bombola oksigjeni nuk janë gjetur në magazinën e Spitalit Kavajë (bombola të cilat janë gjetur në banesat e personave të prekur nga Covid-19).
Por çfarë aktiviteti kriminal kryente në të vërtetë Mensur Robin Hud Shtylla?
I ndodhur në pozicionin më të lakmuar të punës gjatë kohës së pandemisë Covid-19 (mars 2020- deri të hënën e 11 janarit 2021) i kallëzuari, banor autokton kavajas, me shtrirje familjare dhe miqësore tejet të gjerë, mori barrën e rëndë të shpëtimtarit të personave të prekur nga virusi vdekjeprurës, duke rrezikuar jetën në këtë detyrë që kryeministri Edi Rama e quan të shenjtë. Do të mbante përgjegjësi, siç nuk ka mbajtur qeveria deri më sot, nëse ky i ri do të ndërronte jetë nga virusi, pasi është endur për të gjetur ilaçin e jetës dhe për ta shpërndarë atë? Apo një status në rrjete sociale nga qeveria dhe asgjë veç kësaj. Çdo ditë ai takonte në Spitalin e Kavajës pacientë dhe familjarë që hiqnin zi nga mungesa e shërbimeve të duhura mjekësore për trajtimin e të prekurve me Covid-19.
Por përse nuk shkonin të intuboheshin në spitalet Covid këta patriotë të oksigjenistit? Më poshtë po ju japim fare pak detaje se përse të prekurit refuzonin shtrimin në spitalet Covid në Tiranë:
Rasti i parë është regjistruar në muajin gusht, më datë 13. I riu nga Durrësi Xhino Koça, 29-vjeç, pas disa ditësh trajtim në spitalin “Shefqet Ndroqi” u vetëhodh nga kati i tretë dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, edhe rasti i dytë është regjistruar në spitalin e sipërpërmendur. Më datë 2 shtator, 65 vjeçari nga Klosi Hasan Mira, është hedhur nga kati i katërt i spitalit duke ndërruar jetë menjëherë. Ai kishte dy ditë që ishte shtruar te “Shefqet Ndroqi”. Më datë 1 Nëntor, Preng Gjonaj 52-vjeç, pas një jave i shtruar në Sanatorium, në gjendje të rënduar psikologjike ka vendosur t’i japë fund jetës duke u vetëhedhur nga lartësia e këtij spitali. Ngjarja ka ndodhur në orën 03.10 të mëngjesit. Ende pa u bërë 10 ditë nga kjo ngjarje e rëndë që trondiste për herë të tretë stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithë opinionin publik, një i moshuar që po merrte trajtim për Covid-19 u vetëflijua duke u hedhur nga kati i dytë i Infektivit. Më datë 10 Nëntor, Reshat Grendi 69-vjeç, shpëtoi nga hedhja nga kati i dytë i Spitalit Infektiv, por ndërroi jetë një ditë më pas si pasojë e plagëve të marra. Në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, 60-vjeçari Leonard Skabona i dha fund jetës duke u hedhur nga lartësia e spitalit. (/ Opinion.al /)
Tmerr! Panik! Pasiguri!
Por a mundet një oksigjenist të shpëtojë një qytet të tërë? Luftë kundër të gjithë sistemit të kalbur për t’i dhënë oksigjen LIRISË, SIGURISË, JETËS!
Djali i qytetit të Kavajës, nesër, datë 16 Janar 2021, rrezikon të mbetet pa oksigjen pas hekurave të institucionit të vuajtjes së dënimit, sepse Prokuroria Kavajë, me gjasë e ndikuar katërcipërisht nga artikuj të medias audio-vizive dhe deklaratat politike, dhe jo vetëm, ka kërkuar si masë sigurie “ARREST me BURG”.
Sa keqardhje për sistemin tonë të drejtësisë. Sa keqardhje për një sistem që thuhet se kaloi nën sitat e Vetting-ut, por që çdo ditë e më shumë dënojnë rininë, vrasin shpresën e të mos flasim më përse RINIA nuk rri në Shqipëri.
Të riut 26-vjeçar kërkon t’ia mbyllin valvulën e oksigjenit dhe t’ia privojë lirinë, por abuzimit galopant të menaxhimit të pandemisë dhe shpëtimit të jetëve njerëzore, nuk mund t’i kërkojë kurrfarë llogarie. Asnjë hetim nuk ka dalë për vetëvrasjet në SPITALET COVID. Më ironike është që qeveria nuk tregon as se ku ka siguruar vaksinat anti-covid, e jo më të mbajë përgjegjësi për keqmenaxhimin e pandemisë.
Dy ditët e fundit, po shohim një “furtunë” lajmesh nga portale që mbyllin sytë për korrupsionin galopant, për situatën e rëndë që është nëpër spitale dhe për 1001 probleme që ka sistemi shëndetësor në vend, dhe kanë marrë rolin e GJYQTARIT dhe po dënojnë të riun pa folur ende DREJTËSIA, apo kjo drejtësi do të flasë në të njëjtën gjuhë?
Ky artikull i dedikohet bashkëqytetarëve të Mensurit, të cilët u ndihmuan të shërohen dje dhe sot gëzojnë jetë të shëndetshme! Ky artikull i dedikohet bashkëqytetarëve të Mensurit, që janë prekur e do të preken nga virusi vdekjeprurës, mos mbani më shpresë, oksigjenisti shpëtimtar nuk është më!
Ky artikull i dedikohet:
65 994 të prekurve;
39 246 të shëruarve;
1261 të ndjerëve.
Të Shqipërisë së të intubuarit në paraburgimin e Komisariatit Kavajë, oksigjenistit Mensur Shtylla, që vraponte për të çuar jetën, e për jetën e tij askush nuk flet.
PSE SHQIPËRIA I URREN TË RINJTË?
Marrë nga: Koha Jonë