Konflikti për pronësinë e një restoranti dyshohet se është shkaku i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Vilë Bashtovë të Kavajës. Shtetasja italiane Carlota Dossena dhe bashkëshorti i saj Kastriot Dema kanë përfunduar në spital pas një sulmi në resortin e tyre “PepeDoro” në Vilë Bashtovë.
Gruaja e cila ndodhet në spitalin e Rrogozhinës me plagë të lehta në dorë pretendon se është plagosur nga burri i saj, por nuk jep detaje të tjera rreth ngjarjes. Nga ana tjetër në spitalin e Durrësit, në gjendje më të rëndë ndodhet Kastriot Dema i cili në një intervistë për Neës24 ka treguar versionin e tij të ngjarjes, duke pretenduar se gruaja e tij ka bashkëpunuar me kuzhinierin e restorantit dhe persona të tjerë për këtë sulm. Madje ai ka filmuar kuzhinierin, i cili tashmë është arrestuar nga policia, teksa e kërcënonte dhe fyente.
“Në 2 të natës dëgjoj emrin tim. O Kastriot do të bëj këtë, do të bëj atë duke më sharë. Kuzhinieri, punëtori i ish-bashkëshortes hipën në ballkon dhe çan derën. Dal nga dera dhe sa dola ishte Carlota dhe ky tjetri. Me çelës papagall dhe thikë. Thikën ia hoqa nga duart dhe u largova. U lirova dhe ika tek babai, pastaj nuk mbaj më mend”, tha i riu.
Babai i 32-vjeçarit Kastriot Dema rrëfen se u përball me agresorin, kuzhinierin e restorantit, të cilin e kishte parë me një thikë në dorë. Apeli i tij i drejtohet shtetit për të bërë drejtësi për këtë ngjarje.
“Më mori në telefon djali, ‘baba tha po më vrasin’. Unë kam qenë tek parkimi i makinave, pa asgjë në dorë. U dorëzova dhe i thashë unë s’kam asnjë mjet me bo luftë me ju. Kuzhinieri dhe kamerieri, ajo rrinte pak më tutje më erdhën të dy afër dhe në momentin që ai po ia bënte me dorë, thika e gjatë e kuzhinës ra poshtë. Mora djalin me gjak si ishte me makinë. Djali kishte lajmëruar policinë, por nuk kishte ardhur akoma. Ne kërkojmë vetëm drejtësi”, tha babai.
Kastriot Dema qëndronte në një prej dhomave të hotelit të tij pasi ishte në arrest shtëpie për akuzën e dhunës në familje. 32-vjeçari dhe shtetasja italiane Carlota Dossena janë në proces divorci.