Më shumë se 500 milion euro për katër vjet. “El Mundo” ka publikuar kontratën dhe shifrat e rinovimit të fundit të Lionel Messi me Barcelonën, duke përshtjelluar akoma më shumë situatën në klubin “blaugrana”. Ky “scoop” mediatik është goditja e fundit që i jepet shpresave të pakta që sulmuesi argjentinas mund të qëndronte te skuadra katalunjase.
Kontrata është nxjerrë nga njerëz brenda klubit, ndërsa titulli i të përditëshmes spanjolle dhe pyetja që ngre ajo vulosin fundin e hidhur të “dashurisë” Messi-Barcelona. Më saktësisht, shifra që arkëton “Pleshti” nga nëntori 2017 kur vendosi firmën në rinovimin e kontratës deri në 20 qershor të këtij viti kur edhe skadon është 555.237.619 euro bruto.
Sipas “El Mundo”, mes të ardhurave fikse dhe atyre variabël (klauzolat për paraqitjet, golat dhe kualifikimi në Champions), Messi ka fituar 139 milion euro në sezon. Shifra marramendëse! Por kthehemi edhe një herë te titulli i gazetës dhe pyetjes “djegëse” që ajo ngre.
“Kontrata faraonike e Messi që fundosi Barcelonën”, titullohet në faqen e parë gazeta, që vijon më tej: “Si e ka shpërblyer futbollisti klubin e tij në këto vite? Një njeri nuk mund të jetë një Zot”. Barcelona është në krizë të thellë financiare dhe nga ky zbulim i “El Mundo” tregon që Messi ka një pjesë të mirë të fajit. Ndërkohë, pas këtij lajmi klubi katalunjas ka reaguar zyrtarisht, duke kërcënuar me aksione ligjore të gjithë ata që kanë zbuluar kontratën e Lionel Messi dhe Barcelonës./Bw