Kryeministri Edi Rama përsëriti sot se kandidatët për deputetë që gënjejnë për të kaluarën e tyre mbajnë përgjegjësi individuale.
Duke iu referuar apeleve të ambasadorëve në vendin tonë për të mos futur në lista kandidatë të dënuar më parë, Rama tha se nuk ka nevojë që t’i tregojë detyrën asnjë ambasador dhe se e di shumë mirë.
“Ambasadori britanik nuk e kuptoj pse është kaq i përfshirë në procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Meriton respekt por nuk e kuptoj pse është kaq i përfshirë kur vjen puna për zgjedhjet.
Sa i përket pyetjes unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time. Kam shumë respekt për ambasadoren amerikane. Por mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane ka thënë kështu apo ashtu. S’kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador, asnjë koordinator në PE. E di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar. Ligji është shumë i qartë, fare i qartë, kush ka bërë në të shkuarën 1,2,3,5,7 vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik. Madje unë e kam nxitur të shtohet në atë kohë dhe në administratën publike jo vetëm në politikë. Ligji bazohet mbi vetëdeklarimin e individëve dhe mbi kontrollin e vërtetësisë së deklarimit.
Nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, 30 vjet pasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale para ligjit t’i kërkohet partive politike dhe kryetarëve të partive të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri ka gënjyer”, tha Rama.
Nga ana tjetër, ai e ka cilësuar ligjin e dekriminalizimit shkelje të të drejtave të njeriut dhe tha se kjo është arsyeja që asnjë parti nuk e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Ramës, në çdo vend disa vite pas një krimi konsiderohesh i larë.
“Bota pas disa vitesh të konsideron të larë. Il fatto non esiste. Nuk ekziston sepse zgjedhja për demokraci është e drejta të gabosh pa u pushkatuar. Ne kemi bërë një ligj që e shkel këtë të drejtë themelore. Ndaj asnjë parti nuk e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese sepse ky ka qenë kompromisi. Të jemi të qartë se u bë sikur jemi në malin Athos dhe bëjmë moral pa lidhje dhe kërkojmë llogari në adresa të gabuara. PS ka qenë e para që kur ka bërë listën e deputetëve kemi kërkuar dëshminë e penalitetit të të gjithëve. Dëshmia e penalitetit pas 5 vitesh që ke kryer një dënim është e bardhë. Me këtë ligj vetëdeklarimi vendos, ti deklaron që je i pastër dhe ndërkohë në moshën 11-vjeçare ti kë bërë një krim, 18 apo 20 e ca vjeç. Janë në analet e policive krime të së kaluarës, të gjykuara. Këtë proces nuk e bën dot partia, e bëjnë institucione të tjera. Në momente kur del x apo Y që ka gënjyer, ikën nga puna, ikën nga detyra dhe shkon e përballet me ligjin”, deklaroi Rama.
Ai i cilësoi turp i madh, akuzat për lidhje me krimin dhe mafien duke e quajtur një maskaradë të gjithë situatën, përfshirë akuzat për lidhje me Ndraghetën.
“Turp i madh e bëmë këtë vend sikur çdo gjë ka mbrapa një pisllëk. E bëmë këtë vend vendin ku, në Itali bëhet një hetim dhe hetimi nxjerr se s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë përveç një dyqani rrobash dhe PD gjen një blerje 44 mijë lekë kominoshe në atë dyqan dhe thotë ja prova e lidhjes me mafien. Kështu e bëmë këtë vend me kontributin tuaj që nuk i vumë një fre kësaj maskarade dhe gjithë këto shkojnë tek ata koordinatorët që s’duan t’ia dinë, por bëjnë politikë për punë të brendshme atje dhe ndihmojnë shokët e tyre.
Çfarë po më kërkon mua, ne do bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë as më shumë e as më pak dhe këtë nuk ka nevojë të ma thotë asnjë ambasador. Nuk ka qenë kurrë qëllimi të fusim nëpër lista njerëz që kanë pasur probleme me të shkuarën, por nuk kemi pasur informacion.
Unë nuk jam ndonjë i mençur i madh, ka shumë më të mençur se unë, por deri këtu jo. Ka ligj ka dhe respekt për ligjin. Nuk janë përgjegjësia ime ata të cilët në një moment të caktuar abuzojnë me detyrën, me funksionin, me ligjin, me të tjerët. Është përgjegjësi individuale”, theksoi kryeministri Rama.