Nga: Feriz Ferizaj
Namir Telaku, ish-mbrojtësi i krahut të majtë të verdhezinjve, vazhdon të ketë të njëjtin pasion për futbollin. Ai ka luajtur për kavajasit nga viti 1971- 1987 përkrah emrave të shquar Dashnor Bajaziti, Kujtim Pagria, Ilir Duro e të tjerë.
I pyetur sot se çfarë mendon për futbollin e luajtur, por edhe për ekipet në përgjithësi, ai jo pa ironi thotë: “Si shumë gjëra të tjera në këtë kohë edhe futbolli ka ‘rilindur’. Më vjen keq që mjaft ekipe të shquara nuk janë në atë lartësi, kur për dekada të tëra shkruan historinë e futbollit shqiptar. Ekipe si Besa, Dinamo, Elbasani, Lushnja, Tomori, Luftëtari, Besëlidhja garojnë në Kategorinë e Parë. E dini se emrat më të shquar kanë dalë nga këto qytete, duke nisur me korifejtë e portës Vogli e Teliti, Karriqi, Bajaziti, vëllezërit Gjika apo Çeço, Bici, Braho, Majaci e dhjetëra yje të tjerë. Këtë dekadën e fundit edhe futbolli ‘ka rilindur’.
Pa ulur aspak vlerat e ekipeve si Laçi, Bylisi, Kamza e Kastrioti, që historikisht kanë luajtur në Kategorinë e Dytë e të Tretë (dikur), sot zëvendësojnë ekipet që citova më lart. Sinqerisht më vjen keq që këto ekipe nuk vijuan të prodhojnë yje e të vijojnë traditën”. Duke u ndalur më konkretisht te Besa e tij, ai shprehet jo pak i pezmatuar për situatën në të cilën ndodhet ekipi. “Nuk besoj se ndonjëherë Kavaja ka qenë më keq se sot. Vërtet kemi dalë nga Superiorja edhe herë tjetër, por mezi prisnim fundin e kampionatit për t’u rikthyer dhe kurrë s’ka ndodhur të qëndrojmë 2 vite në të Parën. Ndërsa sot po luajmë vitin e 6-të në këtë kategori. Sikur të mos mjaftonte kjo, arena jonë, stadiumi ‘Besa’, është jashtë çdo funksioni dhe ky është një tjetër turp i madh.
Ndërton stadium Kukësi, që e mbaj mend se me dekada është shquar për mundje e patate dhe Besa, ‘nona’ e futbollit, s’ka stadium. Këtë fundjavë luajmë ndaj kryesuesve dhe si thashë kavajasit s’kanë ku shkojnë më poshtë, por kjo nuk mohon rritjen e vlerat e ekipit të Egnatias. Maganin e njoh mirë sepse kam luajtur kundër tij. Është një trajner që i beson vetëm punës e sakrificës dhe nëse Egnatia është e para, kjo ka ardhur pikërisht për meritë të tij. Përtej kësaj të vërtete, unë bëj tifo për Besën. Do të jetë një përballje sa e fortë aq edhe e bukur. Uroj të fitoj ‘Fair Play’ dhe Besa ime”, ka përfunduar Telaku.