Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, në cilësinë e koordinatorit politik të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, ka zhvilluar këtë të diel, një takim me të rinjtë në qytetin e Kavajës. Gjatë bisedës me të rinjtë, Veliaj ka theksuar se Partia Socialiste është fituese në zgjedhjet e prillit e sipas tij pret me qetësi rezultatin final.
Gjatë një takimi me të rinjtë e Kavajës, Veliaj theksoi se Partia Socialiste është fituese dhe pret me qetësi rezultatin final.
“Një ekip që është në avantazh nuk i thyen këmbët tjetrit. Ekipi që është në avantazh, pret të kalojë koha në qetësi, i sigurt për fitoren dhe avantazhin që ka. Është e njëjta histori me ne, kur shikon ato skenat e dhunës të presidentit tek FRD-ja. Kur shoh si i shkonte Luli nga mbrapa, që t’i hidhte më shumë benzinë zjarrit, kur shihja se si i turren kryeministrit, qartazi ai është ekipi humbës, se ekipi në fitore nuk ka nevojë t’i thyejë këmbët njeriu, nuk ka nevojë të shajë njeri, ka vetëm nevojë të presi me durim bilbilin. Ne i bëjmë gjërat me dashuri dhe pasion, nuk angazhohemi kurrë dhe nuk i përgjigjemi kurrë provokimeve dhe dhunës”, sqaroi ai.
Ai theksoi më tej se opozita ende nuk është e qartë se kush është lideri i saj dhe se kjo është për të ardhur keq.
“Te opozita, ti s’e di kush është kapiteni. E sigurt që nuk është Luli. Po pyetja është: A është Ilir Meta apo Sali Berisha? Është kunati apo dhëndri? Aty fillon kaosi sepse nuk e dinë kush është kapiteni. Sigurisht, kanë vënë njërin në fushë që e komandojnë, por ti s’e kupton kurrë se kush i jep urdhrat aty. Se po të jetë kapiten Luli, nuk shkon mbas Ilir Metës për çdo marrëzi. Qartazi kapiten aty është dikush tjetër”, tha Veliaj. Kjo është një garë kush do t’i shërbejë Kavajës? Kush do t’i shërbejë Rrogozhinës? Kush do t’i shërbejë Tiranës? Kush do t’i shërbejë Shqipërisë? Kjo nuk është një garë kush do të poshtërojë tjetrin. Ndaj, do kemi parasysh se po garojmë kush do të jetë skuadra e shërbëtorëve, jo e shefave dhe e bosave që lëshojnë urdhra për të tjerët”, përfundoi Veliaj.