Deputeti socialist dhe ish-kreu i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj deklaroi sot se mëkati i maxhorancës me reformën në drejtësi është fakti që duhet të kishte një qasje më proaktive sidomos nga pikëpamja e koordinimit të procesit, duke imponuar ritëm dhe cilësi më të mirë në formimin e institucioneve.
Ai tha në “Real Story” në News24 se do vijë një ditë që një prokuror, në momentin që dikush do shkojë ta intimidojë, t’i bëjë presion do t’i vërë prangat, teksa mohoi ndikimin e maxhorancës në institucionet e reja të drejtësisë.
“Ligjin e vettingut PD e ka çuar në Gjykata Kushtetuese dhe në Venecia. PD ka votuar vetëm ligjin për SPAK-un.
LSI i ka votuar, ishte pjesë e maxhorancës. Konflikti ishte temë e ditës në atë kohë. Ka qenë Petrit Vasili pjesë e komisionit, ai del dhe i shan këto ligje. Foto aty është reale.
Kush tha zero. Maxhoranca gjatë gjithë kësaj periudhe mendoj se duhet të kishte një qasje më proaktive për sa i përket reformës në drejtësi, sidomos nga pikëpamja e koordinimit të të gjithë këtij procesi. Do impononte ritëm dhe cilësi më të mirë në formimin e institucioneve. Ngriti një komision ad hoc, i cili kishte për detyrë ta bënte këtë, por askush nuk e mori vesh, mund të konsiderohet një hap i gabuar me këtë strukturë. Ishte dhe është sot e nevojshme, atë që sot e bëjnë sot ndërkombëtarët do duhet ta bënte nga kjo pikëpamje shumë më mirë, ndoshta me një komision tjetër të posaçëm pranë Kuvendit për të bërë një koordinim më të mirë të procesit. Ka një problem tek skema aktuale, nuk ka një strukturë që i bashkon te gjitha institucionet, ka një në pamje të parë që është një handikap, i cili zmadhohet më shumë për shkak të zhvillimit në kohë të reformës.
Vettingu filloi me vonesë të madhe për shkak të presionit që ushtroi PD, për shkak të mungesës së PD. Por ama nuk mund të thuash që maxhoranca ndikon institucionet e reja drejtësisë. Nuk mund të më thotë dot njeri sot mua që drejtuesit e SPAK-un dhe prokurorët që janë sot në SPAK kanë një ndikim të drejtpërdrejt nga maxhoranca aktuale. A nëse dikush nga ata ka dëshirë të lidhet, të varet apo vetëvaret në xhepin e një individi, të një X apo Y, kjo është çështje e tij. Prandaj ekzistojnë struktura të posaçme. Unë nuk e besoj që 3 gjyqtarët që vinin nga radhë e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe 4 të rinjtë të kenë ndikim politik. Të 7 gjyqtarët sot në Gjykatën e Lartë janë njerëz me vlera dhe integritet. Do vijë një ditë që do ndodhë dhe këtu si në Francë, që dikush që shkon të ndikojë tek drejtësia do të shkojë prapa hekurave do vijë. A është sot, a është nesër, a do vonojë kjo gjë, është një çështje tjetër. Ne sot jemi mësuar me këtë edukatë që shkojmë atje dhe e quajmë gjë normale që t’i themi gjyqtari për çështjen, po mirë mo s’ka ndonjë gjë unë ta thashë. Jo, nuk të lejon ligji dhe për gjyqtarin është shkelje e rëndë. Do vijë një ditë, do ndodhë që një prokuror, në momentin që dikush do shkojë ta intimidojë, t’i bëjë presion do t’i vërë prangat. Të jesh i sigurt. Po e them seriozisht. Mos e shiko sot, janë njerëz që sapo kanë dalë nga procesi i vettingut, duhet të marrin sigurinë e tyre. Ka një mentalitet, kanë 30 vjet në këtë vend, janë edukuar që kur kanë hyrë në bankat e shkollës që fati i tyre lidhet me politikën. Mund të ndryshosh godinën, por mentaliteti është një proces”, deklaroi Xhafaj.
Ai tha se ne kemi ndërtuar një sistem që është i pakapshëm. “Sistemi nuk e mundëson, e lufton. Unë pres ditën që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të çoj për këtë gjë tek KLGJ këtë çështje. E shoh shumë shpejt ditën. 7 anëtarët e Gjykatës së Lartë, një pjesë e mirë e SPAK, nuk kanë presion politik dhe nuk e hanë presionin. Tani shpejt, quaje me sekonda, por dhe me muaj. Këtu përplasen dy koncepte, edhe në radhët e politikës mund të ketë individë. PS është tren me shumë vagonë, ka dhe njerëz që kanë hipur gabimisht. Ka njerëz që mund të mendojnë si dje. Është tren i madh, e ke të vështirë. Mund ta frenojë, t’i thotë makinistit që të ndalojë”, u shpreh Xhafaj./BW