I ashpër ka qenë në fjalimin e tij kryeministri Edi Rama teksa komentoi fushatën e Partisë Demokratike, ndërsa kujtoi deklaratat e tij të mëparshme.
Në një takim nga Rrogozhina, ku po zhvillon një bashkëbisedim me fermerë, kreu i qeverisë tha se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, sillet si dhëndër pa nuse në dasmat që organizon në rrugët e vendit dhe po rrezikon qytetarët që të infektohen me COVID.
Ai e cilësoi fushatën e PD-së një sjellje të papërgjegjshme, duke thënë se opozita është antishteti.
“Me vjen shumë mirë që është organizuar ky takim. Ata që quhen analistë dhe dërdëllisin pa pushim, duke dhënë mend pa i thënë punës mirëmëngjes. Jeni ju baza e një transformimi që është i pamohueshëm në sektorin e bujqësisë që ka 2 fakte, që tregojnë se ne jemi në drejtimin e duhur. E para; në këto 7 vite e pak që jemi në krye të detyrës kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës ku punohet. Sot jemi në 250 mijë. Ka ende sipërfaqe për t’u mbuluar me punë, ku ne duhet të arrijmë të çojmë kanalet kulluese dhe ujitëse. Më e madhja është bërë. Pjesa më e tmerrshme e një llumi që kishte mbuluar kanalet e bujqësisë, është lënë pas. Shifra e dytë është shifra e prodhimit. Deri para 7 vitesh e kusur Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1. Sot Shqipëria importon vetëm 3 dhe eksporton 1. Që do të thotë se rënia e importit të prodhimeve bujqësore lidhet me rritjen e prodhimit në vend. Ne i kemi çuar eksportet e bujqësisë nga 1 mln në 400 mln. Me planet tona do i çojmë në mbi 100 mld. Kjo do të thotë; më shumë të ardhura për ju. Ju e dini se shteti ka qenë në krahun tuaj. Qoftë me skemat kombëtare, qoftë me mbështetjen nga fondet. Kur morën detyrën Shqipëria ishte e fundit në Ballkan për thithjen e fondeve të BE për vendin. Ata që sot duan të kthehen prapë, nuk arrinin dot që të bënin një projekt për të marrë ato fonde. Sot Shqipëria është e para për thithjen e fondeve nga BE. Kemi krijuar një agjenci europiane, atje me një mike tonën, që ka bërë skuadër fantastike për të ndihmuar fermerët. Ne duam të çojmë përpara punët e nisura, por na kanë dalë këtë xhakajdurët, si një shportë, mbledhur si para shkollave. Duke krijuar një tabor krushqish dhe duke e sorollatur nëpër Shqipëri. Ajo që po bën Basha bashkë me ata që organizojnë ato dasma pa nuse, është e turpshme, një rrumpallë kriminale, pasi ato janë vatra infektimi. Ne kemi ngritur në të gjithë Shqipërinë vatra vaksinimi. Jemi një nga vendet e rajonit që kemi ngritur vaksinimin masiv. Do të dalin në mes të vendeve lartë në Europë për vaksinimin. Ata s’duan që t’ja dinë as për njerëzit e tyre. Janë aty me gishta, me flamuj, me ulërima. Ku kanë gjetur shesh bëjnë përshesh. Dy-tre javë do virusi që të zhvillohet dhe të kapi fytin. Unë uroj që asnjë prej tyre mos të përfundojë në spital e jo më të ndërroj jetë. Por ashtu siç veprohet, është e qartë për çdo shqiptar që ka dy mend në kokë, mesazhi është që ata janë antishteti. Janë rrumpalla, paaftësia dhe dëmi që i rri në kokë këtij vendi. Nuk kanë bërë një punë të hajrit. Sa herë e kanë marrë detyrën. Ndërkohë qëne kemi ardhur sot këtë me një skuadër me të re.”, tha Rama.