“Ramazani bashkon”, Drejtuesit politikë të Kavajës bëhen bashkë për Iftarin e parë në këtë muaj të paqes!


Ramazani është muaji i Mëshirës, Paqes, dashurisë, respektit dhe vëllazërisë. Shembulli më i mirë ka ardhur nga Kavaja, në ditën e parë të tij, ku Myftinia ka organizuar një iftar në të cilin kanë marrë pjesë drejtuesit e të gjitha subjekteve politike.

Në krah të Myftiut Besnik Leçini qëndronin ulur Kryetari i Bashkisë z.Redjan Krali e në krahun tjetër Kryetari i PD- së z.Isa Sakja.
Në të njëjtën tryezë me ta ishin edhe Kryetari i PS-së Elton Elezi, Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë z. Edison Memolla.
Ajo që ra në sy ishte edhe pjesëmarrja e kandidatëve për deputet të PS e PD në të njëjtën tavolinë, si rrallë herë jemi mësuar t’i shohim.
Në dy tavolina të tjera, qëndronin ndaraz drejtuesit e tjerë të strukturave të partive përkatëse.
Ramazani është muaji i Bashkimit dhe Kavaja e dha shembullin e parë!
“Falënderimet i takojnë Allahut me mirësinë e të cilit bëhet i mundur plotësimi i veprave të mira.
Myftinia Kavajë shtroi një iftar modest me rastin e muajit të Ramazanit. Mirënjohje të ftuarve që me praninë e tyre dhanë mesazhin për një kohezion social në qytetin tonë. Allahu jua pranoftë agjërimin dhe e begatoftë Kavajën tonë!”, shkruan Myftiu i Kavajës Besnik Leçini.
Nga: Infoweb.al