Punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit “Zajed” janë drejt përfundimit. Të dielën e 18 Prillit një avion me pasagjerë nga Londra pritet të zbresë në pistë.
Në kantierin gjigant prej 100 hektarësh po punohet me ritme të larta. Në aeroport çdo investim është kryer nga fillimi. Duke nisur që nga zgjatimi dhe rehabilitimi i pistës ekzistuese, rrugët e shërbimit, magazina, godina e zjarrfikësve, si dhe parking i avionëve.
Drejtori i Aeroportit të Kukësit, Altin Progonati, thotë se është përfunduar pista prej 2200 metrash, ndërsa në zonën e parkimit është projektuar të qëndrojnë 3 avionë njëkohësisht.
“Këtu ndodhemi në vendqëndrimin e avionëve aty ku do parkohen avionët i cili është një investim krejtësisht i ri prej 18 mije metrash katror mbrapa kemi terminalin gjithashtu një investim. Pas meje ndodhet edhe taxw pjesa që lidh vendqendrimin e avioneve me pistën edhe ajo një investim i ri i ribërë nga e para. Aeroporti aktualisht mund të quhet operacional”, shprehet Altin Progonati.
Me të njëjtin ritëm po punohet edhe brenda terminalit me një sipërfaqe prej 3500 m2.
“Terminali është konceptuar me ardhjen e pasagjerëve nëpërmjet gate-ve direkt përballen me check-in e cila është zona ku do bëhet prerja e biletës dorëzohen bagazhet të cilat do të përpunohen në pjesën mbrapa e cila është edhe zona e bagazheve dhe pastaj pasagjerët prej këtu duhet të vazhdojnë në korridorin e sigurisë për të dal më tutje në zonën e tranzitit dhe për të vazhduar fluturimin e tij”, shton ai.
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit do të ofrojë çmimet më të ulëta dhe po tërheq linjat low cost.
“Aeroporti i Kukësit është konceptuar si një aeroport low cost dhe do t’i ofrojë pasagjerëve që do të fluturojnë nga ky aeroport destinacione të tilla si Zyrihu, Basely, Milano, Bermingen, Londer, ku do jetë edhe fluturimi i parë që do bëhet nga Air Albania nga vendet Skandinave ndoshta Stokholmi”, deklaron më tej Progonati.
Drejtuesit thonë se deri më tani ky aeroport ka punësuar 110 persona, shifër kjo që pritet të rritet.
“Ka edhe shërbime të tjera të cilat janë të lidhura me aeroportin duke filluar që nga shërbimet parkimi hoteleria lokalet e ndryshme që do të kenë edhe këto impaktin e tyre në punësim”, thekson drejtori i aeroportit.
Aeroporti ndërkombëtar i Kukësit është aeroporti i dytë civil në Shqipëri dhe ndodhet 3.5 kilometra në dalje të qytetit të Kukësi. Ky aeroport është investim i 2 kompanive shqiptare Bami shpk dhe Global Technical Mechanics dhe në total do të kapi shifrën e mbi 22 milionë eurove.