Kryetari i Bashkisë së Kavajës Redjan Krali ka reaguar për herë të parë ngjarjes së djeshme ku mbeti i plagosur 27 vjeçari Bledar Okshtuni, mbështetës i PD.
Krali thotë se ngjarja po përdoret për qëllime politike për interesa të ngushta të atyre që vijnë në Kavajë vetëm për fushatë ndërsa sqaron se dy punonjësit e Bashkisë e dyshuar si të përfshirë në ketë ngjarje janë pezulluar deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet e drejtësisë.
Mesazhi Në Facebook:
Privilegji më i madh që më është dhënë në jetë, ka qenë ai për ti shërbyer Kavajës! Jo vetëm sepse është qyteti ku u linda, u rrita dhe krijova familjen time, por sepse ka njerëz të jashtëzakonshëm, me vlera të larta dhe me zemër të madhe.
Ngjarja e djeshme më trishtoi dhe gjëja e parë që bëra ishtë të sigurohesha që gjendja shëndetsore e djalit të plagosur të ishte jashtë rrezikut.
Si Drejtues i Institucionit të Bashkisë e kam detyrim të ruaj gjakftohtësinë dhe të le organet kompetente të bëjnë punën e tyre përpara se të përhapim panik a të bëjmë drama teatrale si ajo shfaqja e shëmtuar që na u servir dje nga ato që për të disatën herë na kanë dëshmuar sa i gëzohen incidenteve.
Fushata në Kavajë ka plot 6muaj që ka nisur dhe unë nuk do rresht së falenderuari çdo banor të saj për qytetarinë e treguar. Nuk kanë qenë të pakta provokimet ndaj të cilave me vetëdije të plotë Insitucioni që drejtoj, ka zgjedhur të mos reagojë, pikërisht për të shmangur prapavijën politike që nuk ka qenë e nuk do jetë kurrë shkak për të përcarë vëllazërinë tonë. Tentuan të digjnin pemën e Vitit të Ri kur sheshi ishte plot e përplot me fëmijë dhe nuk reaguam. Uzurpuan hapësira publike me flamuj, tavolina e rraqe dhe prap nuk reaguam. Bllokuan sheshin e qytetit hipur mbi makina, shqetësuan banorët me zhurma e thirrje dhe prap nuk reaguam. Nuk u mjaftuan; thirrën një tubim sot për të cilin nuk paraqitën asnjë kërkesë për leje pranë Bashkisë dhe jo vetëm që nuk u ndaluan por gjithë stafi i Policisë Bashkiake u kujdes të qetësonte banorët e intimiduar nga xhirot e vrullshme e plot zhurmë të atyre që valvitnin flamuj dhe ulërisnin në mes të ditës majë makinave. Kjo sepse në fund diferencën qytetarët do dijnë ta bëjnë vetë; kush janë ato që mbjellin panik e terror e kush qetëson. Kush shkatërron e kush ndërton. Kush kujdeset për banorët e kush i gëzohet fatkeqësive.
Vendimi i parë që firmosa sot sapo hyra në zyrë ishte ai për pezullimin e dy punonjësve të Bashkisë të përfshirë në ngjarje derisa organet kompetente të zbardhin çështjen dhe të japin një vendim. Distancohemi nga çdo akt dhune e përçarje me vetëdijen e plotë që Kavaja nuk mundet kurrësesi të përfaqësohet nga episode të tilla që përveçse banalitetit dhe gjaknxehtësisë nuk kanë asnjë prapavijë tjetër.
Video që qarkulloi sot pohoi të vërtetat që kush jeton në Kavajë i di fort mirë.
T’i replikosh me një foto arkive të një iftari shtruar nga punonjësi im në Bashki përveçse qesharake është jashtë çdo llogjike.
Që ditën e parë në detyrë unë kam drejtuar si KryeBashkiaku i të gjithëve, mbaj të njejtin numër telefoni prej vitesh dhe i përgjigjem çdo banori pa asnjë hezitim. Në zyrën e KryeBashkiakut nuk ka pusulla mungese dhe njerëzve nuk u duhet të presin javë e muaj për një takim. Jam dhe do të jem gjithëmonë në shërbim të qytetit dhe banorëve të tij!
I keqardhur që ky episod na dha një shije të keqe jo vetëm 5-ditë para zgjedhjeve por mbi të gjitha gjatë këtij muaji të shenjtë veçanërisht për Kavajën tonë, ftoj çdo bashkëqytetar ta dëshmojmë të gjithë bashkë të dielën e votimeve që Kavaja nuk do të jetë kurrë më vegël për përfitime politike nga ato që i shfrytëzuan për vite me rradhë çdo votë që i jepte pushtet. Gjëja e parë që bënin ishin të iknin nga Kavaja për tu rikthyer sa herë afronte fushata. Jo më! Kavaja nuk kthehet pas!
✏️Redjan Krali