Richard Grenell, ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi ka reaguar në lidhje me votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sot në Shqipëri. Në një postim në profilin e tij në Twitter, Grenell shkruan se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues në motivet e Kurtit.
Sipas Grenell, veprimi i sotëm i Kurtit i tregon botës aq shumë për të. “Kryeministri i Kosovës po voton në zgjedhjet shqiptare. Kjo i tregon botës aq shumë për Kurtin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues ndaj motiveve të tij”, ka shkruar Grenell ndër të tjera. Reagimi i tij vjen pak pasi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjithashtu e konsideroi të papranueshme pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si votues në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
“Nuk mund ta kuptoj se çfarë është e gjithë kjo. Nga njëra anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia ose nga vetë Presidenti Aleksandar Vuçiç, por nga ana tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. E papranueshme. Të paktën jo për mua”, -shkroi Cramon.
Po ashtu, Kurti u kritikua edhe nga opozita e tij në Kosovë, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se kryeministrit më shumë po i intereson për zyrtarët e partisë së tij në Shqipëri sesa për qytetarët e tij në kohë të pandemisë.