Drejtuesi politik i PS në Tiranë, Erion Veliaj, jep lajmin se Partia Socialiste sapo ka fituar edhe Kavajën e Rrogozhinën.
Në një komunikim nga selia rozë, Veliaj tha se fushata pozitive e PS është shpërblyer me një fitore të fortë në Kavajë e Rrogozhinë.
“Jemi të pandalshëm sot. Shumë faleminderit të gjithëve. Më keni pyetur shpesh pse nuk përgjigjem kur Saliu nxjerr lloj lloj llumi nga goja për mua, familjen time, sa herë që futet në familjet tona, poshtë fustanit, me atë fëlliqësinë e tij. Më keni pyetur a do japësh përgjigje për pisllëqet që nxjerr Grida nga goja, për analistët, që në këtë fushatë janë bërë rrogoz për politikën. Të gjithë kemi parë analistë që zhgërryhen si militantët më ekstremistë.
Pse nuk flas për këta njerëz? Sa fituam Kavajën. Kjo është përgjigjja ime për të gjithë ata që na hyjnë përditë në gjuhën e urrejtjes, që na futen përditë në familje, që mundohen të na përçajnë, të na vënë kundër njëri-tjetrit, për ata që flasin e gjykojnë para kohe. Jo vetëm Kavajën, por edhe Rrogozhinën. Ndaj miqtë e mi, durimi shpërblehet, puna shpërblehet, dashuria shpërblehet, dhe fushata jonë pozitive është shpërblyer sot në Kavajë dhe Rrogozhinë. Për të gjithë ata djem e vajza të reja që ngurojnë të futen në politikë, ju them të marrin shembull nga skuadra jonë. Ne fituam Kavajën e Rrogozhinën më fort se kurrë”, tha Veliaj.
Më tej, Veliaj iu drejtua me një mesazh edhe qytetarëve që nuk e kanë votuar PS-në në këto dy zona, teksa tha se partia e tij do iu shërbejë edhe atyre me përulësi.
“Teksa fillon numërimi edhe për kandidatët, di t’iu them se si do që të shkojë numërimi, këto djem të PS do jenë aty për t’i shërbyer përditë Kavajës e Rrogozhinës, non stop. Mezi pres që këta të tre të kenë një skuadër të ne treve që jemi kryebashkiakë, që të sigurohemi që zëri i qytetarëve të Kavajës e Rrogozhinës në Parlament të përputhet me ne, për të qenë një skuadër. Kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që janë stafi ynë në Kavajë e Rrogozhinë, pasi është e vështirë të shërbesh në një vend që nuk është i majtë, por sot puna e tyre është shpërblyer. Për të gjithë ata që nuk na kanë votuar, pasi fitorja jonë në Kavajë ishte e ngushtë, për të gjithë ata që i qëndruan traditës dhe votuan për Saliun e Gridën, di t’iu them se ne do iu shërbejmë përditë, edhe pse nuk na keni votuar. Ne do jemi të përulur, do iu përgjigjemi kërkesave tuaja. Ne nuk dimë të bëjmë dallime. Dua t’i shtrij dorën jo vetëm atyre që iu përfaqësuan në anën tjetër, por kujtdo, se ne jemi një familje dhe do të punojmë për interesin e përbashkët të Kavajës e Rrogozhinës”, shtoi Veliaj.