Basha i fali dy mandate të sigurta PDIU-së, por ata nuk kanë vota për asnjë mandat

Lulzim Basha vendosi në listën e kandidatëve për deputetë, aleatët e Partisë Demokratike, duke i renditur në vende të sigurta. Por, ata i kanë sjellë shumë pak vota partisë.

Dy vende të sigurta në listën e Tiranës, i mori Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda, të dy përfaqësues të PDIU-së, por votat e tyre të mbledhura sëbashku nuk mjaftojnë për të nxjerrë asnjë mandat dhe jo më për dy vende në parlament.

Shpëtim Idrizi ka marrë 6764 vota, ndërsa Mesila Doda vetëm 2071 vota. Në total, të dy kanë 8835 vota, të pamjaftueshme për të prodhuar një mandat në Kuvendin e Shqipërisë.

Pra vendosja e PDIU-së në vende të sigurta nuk i ka dhënë asgjë Partisë Demokratike. Ndërkohë, ka kandidatë në listë që kanë marrë shumë më tepër vota, por nuk do të mund të futen në parlament. Përshembull, Ivi Kaso, Oriela Nebija, Petrit Doda, Asllan Dogjani, kanë marrë shumë më tepër vota se Mesila Doda, por nuk do të jenë në parlament.

Po kështu, aleati tjetër Vangjel Dule, ka marrë vetëm 726 vota, një shifër e papërfillshme, por do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm.

Edhe Fatmir Mediu ka dështuar të marrë vota të mjaftueshmë për një mandat parlamentar, duke siguruar vetëm 6089 vota, megjithatë e ka mandatin të sigurtë.

Lulzim Basha mori kritika të shumta pas hartimit të këtyre listave, për faktin se u dha mandate të sigurta aleatëve, duke mos i vendosur në “vijën e zjarrit”, në mënyrë që të luftonin për mandatin e tyre.